Diplomatja e lartë amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn ka kujtuar dje me nderim komandantin shqiptar Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës 13 vite më parë, teksa drejtonte trupat shqiptare “EAGLE 4” në misionin ndërkombëtar në Afganistan.
Gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë për 249 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, është shprehur se pak ditë më parë gjatë stërvitjes Defender Europe, dikush i kishte treguar historinë e Feti Voglit.
“Në fillim të këtij muaji, pata nderin të shihja se si forcat shqiptare dhe amerikane punonin së bashku në Stërvitjen DEFENDER-Europë Përgjigje e Menjëhershme. U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë.
Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria”, është shprehur ajo.
Komandant Feti Vogli lindi më 23.05.1981 në fshatin Baldushk të Tiranës dhe ra dëshmor më 20.02.2012. Ishte i martuar me bashkëshorten Alva dhe kanë një vajzë me emrin Egi, e cila sot është 15 vjeçe. Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë ishte dekoruar disa herë me medalje ndryshme. Sot në nder të tij ka një bust në Shqipëri dhe Afganistan. m.p.