Raluca Besliu*
Do të dukej e arsyeshme të supozohej se njerëzit që zhvendosen nga një vend i BE-së në një tjetër në kërkim të punës dhe mundësive janë ndër mbështetësit më të qëndrueshëm të unionit. Liria e lëvizjes brenda bllokut me 27 vende është, në fund të fundit, një nga përfitimet më të mëdha të shtetësisë së BE-së. Por diaspora rumune ka përmbysur së fundmi këtë teori.
Me rreth një të katërtën e popullsisë prej 19 milionë banorësh që jeton jashtë, kryesisht në Evropën Perëndimore, Rumania ka diasporën më të madhe në BE. Rreth dy të tretat e tyre janë emigrantë ekonomikë: mbledhin fruta në Andaluzí, kujdesen për të moshuar në Vjenë, vendosin tulla në Bruksel. Vetëm në vitin 2023 ata dërguan në atdhe 6.5 miliardë euro remitanca, gati 3% e PBB-së së Rumanisë, duke mbajtur gjallë komunitete në mbarë vendin.
Në zgjedhjet e tensionuara presidenciale të muajit maj, kandidati pro-evropian, Nicușor Dan, fitoi zgjedhjet, duke mposhtur në raundin vendimtar kundërshtarin e djathtë euroskeptik, George Simion. Pas muajsh kaosi politik, rezultati solli lehtësim në të gjithë BE-në. Megjithatë, vetëkënaqësia do të ishte thellësisht e gabuar, sepse tek votuesit rumunë jashtë vendit, Simion ishte fituesi i qartë, duke marrë afro 70% të votave në vendet me diasporë të dendur si Gjermania, Italia dhe Spanja.
Për vite me radhë, diaspora rumune ka mbështetur kryesisht kandidatë centristë, pro-evropianë. Atëherë, pse afro një milion prej tyre do të mbështesnin një kandidat që vë në dyshim vetë anëtarësimin e Rumanisë në BE? Ndër deklaratat e zjarrta të Simionit për BE-në është edhe: “Ne nuk duam të jemi qytetarë të dorës së dytë të kësaj Bashkimi Sovjetik të ri.” Këto ndjenja, mesa duket, kanë gjetur jehonë tek shumë rumunë që punojnë jashtë.
Për mua, përgjigjja qëndron në vite të tëra neglizhimi politik: nga Bukureshti, vendet pritëse dhe Brukseli – shumë rumunë ndihen të padukshëm dhe të papërfaqësuar. Pandemia dhe kriza e kostos së jetesës e thelluan pakënaqësinë e tyre, të cilën e djathta ekstreme e ka shfrytëzuar përmes dezinformimit dhe manipulimit emocional, duke e kthyer në një forcë të fuqishme politike.
Në vitin 1990, nëna ime luftoi për lirinë e Rumanisë. A do të bëjnë të njëjtën gjë fëmijët e revolucionit?
“E di sa e vështirë ka qenë për ju të largoheni – prindërit, fëmijët, rrënjët,” – tha Simion në një video të fushatës drejtuar diasporës në prill. “Ju jeni pasuria më e madhe e kombit tonë. Pa ju, nuk mund të rindërtojmë asgjë që të zgjasë.” Megjithë rolin e tyre kyç në mirëqenien e Rumanisë dhe BE-së në tërësi, këta punëtorë emigrantë mbeten të margjinalizuar politikisht dhe të nën-përfaqësuar.
Shembulli i diasporës turke dhe mbështetjes së saj për Recep Tayyip Erdoğan ofron një paralelizëm paralajmërues: ndjenja e përjashtimit jashtë vendit mund të kristalizohet në simpati autoritare në atdhe.
Sikur zgjedhjet presidenciale rumune të kishin qenë thjesht një gjykim për klasën politike të vendit, Dan – me një karrierë të ndërtuar mbi luftën kundër korrupsionit si kryetar bashkie i Bukureshtit – me siguri do të kishte marrë më shumë vota nga diaspora se Simion. Por ndodhi e kundërta, sepse kjo votë u perceptua si më shumë për dinjitetin, njohjen dhe një përballje emocionale të thellë, sesa për programet anti-establishment. Për dekada me radhë, mesazhi i shtetit për rumunët jashtë ka qenë i qartë: dërgoni remitanca, jepni votën, por mos prisni përfaqësim.
Për vite me radhë, organizatat shtetërore që pretendojnë se mbështesin rumunët jashtë vendit kanë bërë shumë pak për të përmbushur nevojat e tyre të menjëhershme në vendet pritëse – si ndihma ligjore apo mësimi i gjuhës rumune për fëmijët.
Edhe qeveritë e vendeve ku emigrojnë rumunët nuk kanë bërë më mirë. Megjithëse në teori ata gëzojnë trajtim të barabartë me punëtorët vendas dhe mbrojtje nga diskriminimi, në praktikë rumunët shpesh përballen me kushte shfrytëzuese, përjashtim social dhe qasje të kufizuar në shërbimet publike. Për shumë prej tyre, premtimi evropian është shndërruar në një realitet të margjinalizimit evropian.
Pandemia e përkeqësoi gjendjen, pasi shumë prej tyre, veçanërisht ata në punë sezoni apo të pasigurta, u përjashtuan nga mbrojtja sociale, kujdesi shëndetësor dhe ndihma financiare në vendet pritëse, ndërsa autoritetet rumune i dekurajuan aktivisht nga kthimi në atdhe. Rritja e inflacionit dhe kriza e kostos së jetesës bënë që remitancat të bien ndjeshëm në vitin 2024.
Kjo alienim i dyfishtë krijoi një terren pjellor për të djathtën ekstreme – të cilën Simion e ka shfrytëzuar që kur themeloi AUR (Aleanca për Bashkimin e Rumunëve) në vitin 2019. Është e vërtetë se në garën presidenciale të vitit 2024, aura e tij si outsider ishte zbehur dhe ai përfundoi i katërti në raundin e parë të votimit.
Por Simion u errësua nga një tjetër ultra-nacionalist, Călin Georgescu, i cili e quajti BE-në një “grumbull copash”. Georgescu gjithashtu kanalizoi pakënaqësinë e diasporës, por me një gjuhë edhe më radikale. Duke refuzuar etiketën “diasporë”, ai i quajti punëtorët jashtë vendit “Rumania tjetër”, duke thënë se ishin investitori më i madh i vendit dhe i ftoi të kthehen. Në rrjetet sociale, premtimet e tij u përforcuan nga dezinformimi masiv.
Dhe funksionoi: në nëntor 2024, Georgescu fitoi në mënyrë të papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anulloi zgjedhjet, duke përmendur ndërhyrje të huaja. Georgescu u përjashtua nga gara e riorganizuar në vitin 2025. Për shumë rumunë jashtë vendit, kjo u ndje si një tjetër tradhti nga elitat, dhe i hapi rrugën Simionit për të trashëguar bazën e mbështetjes së Georgescut.
Tashmë që Dan është president, pakënaqësitë e diasporës vazhdojnë të ziejnë. Nevojitet një ndryshim i vërtetë: Rumania duhet ta trajtojë diasporën e saj si një elektorat më vete, me angazhim të qëndrueshëm dhe përfaqësim të denjë. Në nivelin e BE-së, duhet një rishikim i ngjashëm: diasporat duhet të njihen jo vetëm si agjentë ekonomikë, por si aktorë të plotë politikë.
Veprimi do të jetë padyshim i vështirë, në një kohë kur e djathta ekstreme po përparon jo vetëm në vend, por edhe në Bruksel. Rritja e votave për partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane të vitit 2024 e bëri këtë të qartë. Por shenjat paralajmëruese janë të dukshme. Udhëheqësit nga Bukureshti në Bruksel kanë një dritare të ngushtë për të vepruar. Alternativa – mobilizimi i vazhdueshëm i diasporës nga e djathta ekstreme – kërcënon jo vetëm vende të veçanta, por vetë projektin evropian.
Nëse BE-ja nuk arrin të ruajë besnikërinë e vetë punëtorëve të saj emigrantë, mbijetesa e saj afatgjatë duhet vënë seriozisht në dyshim.
*Raluca Besliu është gazetare rumune me qendrim në Bruksel
Burimi: The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi