Përgatiti: Leonard Veizi
Në errësirën e shekullit XX, ndërsa bota përpiqej të mblidhte copëzat e arsyes pas luftrave dhe krizave të pafundme, në zemër të Gjermanisë lindi një ideologji që nuk kërkonte vetëm pushtet, por edhe shenjtëri. Nazizmi, më shumë sesa një sistem politik autoritar, qe në fillesat e tij një mitologji moderne, e cila përpiqej të risillte në jetë një botë të humbur të racës së pastër, të përzgjedhur, të lashtë — arianëve. Dhe në themel të kësaj mitologjie qëndronin Atlantida, Thule dhe raca hyjnore Hiperboreane. Nuk ishte thjesht një luftë për territore; ishte një kthim drejt një parajse të humbur, një mision kozmik për ta ringjallur.
Atlantida dhe Hiperboreanët – Fisnikëria e humbur
Sipas teorive ezoterike që frymëzuan shumë nga ideologët nazistë, Atlantida nuk ishte një mit, por qytetërimi i parë i vërtetë arian, më i përparuari në shpirt dhe teknologji, i krijuar nga raca hyjnore Hiperboreane. Këta ishin qenie të përkryera, thuajse engjëllore, që vinin nga Poli i Veriut, nga një Tokë e Bardhë e ftohtë dhe e ndritur, ku njerëzit jetonin në harmoni me forcat kozmike. Thule, shpesh e identifikuar me Islandën, ishte sipas kësaj mitologjie djepi i njerëzimit të vërtetë – i racës ariane.
Nga Thule, sipas legjendës, arianët u përhapën drejt Azisë, por kur bota filloi të përzihej racialisht dhe shpirtërisht, pasardhësit e pastër u tërhoqën në shkretëtirën e Gobit, ku u strukën si një urdhër i fshehtë, në pritje të ringjalljes së lavdisë së dikurshme. Kjo ide u përqafua nga teozofia, një filozofi mistike e shekullit XIX që synonte të bashkonte spiritualitetin lindor me traditat okulte perëndimore.
Ariosofia dhe mëkati i përzierjes racore
Në fillim të shekullit XX, teozofia u shartua me mitet e vjetra gjermanike, duke lindur atë që quhet Ariosofi – një përzierje e ethshme e filozofisë, okultizmit dhe nacionalizmit ekstrem. Ariosofistët, të frymëzuar nga Helena Blavatsky, promovonin idenë se mëkati origjinal i njerëzimit ishte përzierja racore: çiftezimet midis racës superiore ariane dhe racave “inferiore” kishin çuar në dekadencë, dobësi shpirtërore dhe fizike.
Zgjidhja, sipas tyre, ishte kthimi në pastërtinë origjinale, rindërtimi i një shteti të vetëm arian, që do të përfshinte gjermanët dhe austriakët, dhe që do të udhëhiqej nga një kastë priftërinjsh të iniciuar – të ndriçuar nga dijet e lashta dhe energjitë mistike të Thules. Rindërtimi i parajsës së humbur, i botës mitike që parakuptonte historinë, ishte misioni i lartë i kombit gjerman.
Urvolk dhe drejtimi i shenjtë i luftës
Sipas këtyre doktrinave, Urvolk, raca e parë dhe më e lartë, duhej të zgjohej dhe të zgjerohej në dëm të të tjerëve, në një lëvizje të shenjtë që do të ndjekë rrugën e kundërt të emigrimit të lashtë: nga Perëndimi në Lindje. Ky nuk ishte thjesht imperializëm: ishte marshi i një misioni shpirtëror për të rikthyer harmoninë kozmike, përmes luftës së përgjakshme dhe shfarosjes së “të tjerëve”.
Lebensraum – një koncept mistik për hapësirën e shenjtë
Nuk është rastësi që Hitleri e vendosi “Lebensraum”-in – hapësirën e jetesës për gjermanët – në qendër të vizionit të tij. Ky koncept nuk ishte vetëm ekonomik apo demografik. Në rrënjë qëndronte ideja mitologjike se raca superiore kishte të drejtë hyjnore mbi tokën, një tokë që duhej pastruar nga raca të tjera për të rikrijuar rendin e lashtë. Lufta në Lindje nuk ishte vetëm një betejë strategjike: ishte një ritual purifikimi racor dhe shpirtëror, një sakrificë për të rifituar Edenin e humbur të Thules.
Në thelb, nazizmi nuk ishte vetëm politikë e dhunshme, por mitologji e rrezikshme. Ai ndërtoi një univers të tërë me perëndi të harruara, parajsa të mbytura dhe raca të zgjedhura, dhe mbi këtë ndërtoi gjenocidin, luftën dhe terrorin, me bindjen se po ndjek një mision të lartë, të ndritur. Në këtë dritë, shfarosja e hebrenjve, sllavëve, romëve e të tjerëve, nuk ishte vetëm racizëm – ishte “pastrim kozmik” në emër të një mitologjie të sëmurë.
Në fund, ajo që nisi si filozofi okulte në shtëpitë e shkruesve të librave ezoterikë, u shndërrua në dogmë shtetërore të Rajhut të Tretë, duke treguar se kur mitologjia humbet shpirtin dhe hyn në politikë, ajo shndërrohet në armën më të rrezikshme të historisë.