Në protestën e tretë të organizuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, deputeti Ivi Kaso kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Belinda Ballukut. Sipas tij, fakti që Rama nuk e shkarkon Ballukun, e cila ndodhet nën akuzë, tregon se po mbron veten dhe një sistem të korruptuar që, siç u shpreh ai, është ngritur mbi abuzime dhe vjedhje me fondet publike.
Kaso deklaroi se Rama i druhet drejtësisë, pasi pas çështjes Balluku do të duhej të japë llogari për skandale të tjera, nga inceneratorët te pastrimi i parave, lejet e ndërtimit dhe dështimet në projekte infrastrukturore. Ai e akuzoi kryeministrin se ka uzurpuar pushtetin dhe se po tenton ta kthejë opozitën në shtojcë të qeverisë.
Në përfundim të fjalës, Kaso bëri thirrje që protesta të mos ndalet, duke theksuar se qytetarët duhet të vazhdojnë betejën për drejtësi dhe llogaridhënie, pavarësisht bindjeve politike. Ai u shpreh se kjo kauzë nuk është vetëm e demokratëve, por e çdo shqiptari që kërkon një shtet funksional dhe ligj të barabartë për të gjithë./mxh
