Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me videon e publikuar nga kryeministri Edi Rama sa i takon debatit për Komitetin e Ekspertëve Teknikë.
Përmes një mesazhi në “Twitter” Basha pohon se Rama ka humbur çdo kontroll mbi pandeminë, ndërsa shtoi se kemi numrin e testimeve më të ulëta në Europë.
Mes të tjerash kryedemokrati akuzoi kryeministrin se pasi shkatërroi ekonominë tani ai po shkatërron jetën dhe shëndetin e njerëzve.
“Rama ka humbur çdo kontroll mbi pandeminë. Kemi testimet më të ulëta në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe spitalet në kolaps vetëm sepse ai nuk heq dorë nga vjedhja me inceneratorë e koncesione. Pasi shkatërroi ekonominë tani ai po shkatërron jetën dhe shëndetin e njerëzve”, shkruan Basha.
Më herët Kryeministri Rama, me anë të një video të shpërndarë në “Facebook”, akuzoi liderin e PD-së Lulzim Basha se vetëm shpif ndaj ekspertëve të Komitetit Teknik.
Në video, Rama jep me detaje jetëshkrimin e secilit mjek profesionist, që ka punuar dhe po punon kundër pandemisë së Covid-19./Bl.Ba/Fjala.al