Nga Halit Valteri
Të gjithë e mbajnë mend bujën e madhe që shkaktoi në disa media “kotece” të PD, ndërsa ato më seriozet e trajtuan si objekt tallje, shpalljen e Donald Trump “Qytetar Nderi” në Kamëz, nga Xhelal Mziu dhe Lulzim Basha. Madje ceremonia e shpalljes u përdor si show nga zyra e shtypit e PD, pasi mori pjesë vetë kryedemokrati Lulzim Basha dhe shpura e tij e servilëve.
Ndërkohë që ishte e gjitha farsë, sepse nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i ambasadës amerikane, për sa kohë aty u shfaqën për foto Luli dhe Xhelali e gjitha quhet punë e kryer. Çka konfirmon falsitetin e kësaj dekorate, duke përdorur emrin e Trump, përveçse presidenti i shtetit më të fuqishëm në planet, edhe një markë e fuqishme ndërkombëtare njëkohësisht, për interesa të ulta politike, nga dy shembujt më negativë të mundshëm në të bërit politikë. Fotoja e famshme Xhelal-Lul ishte lajtmotivi i korridoreve të Bashkisë Kamëz, aty ku Xhelali kapërdihej si Pashai arrogant me një tufë derdimenësh me vete që e ndihmojnë në harem.
Kush mund ta marrë shembull dhe model frymëzimi Xhelalin e “shamikuqes”? Aftësitë e Xhelalit prej lidershipi nuk vlejnë as deri te pragu i shtëpisë së tij, por në një Shqipëri ku suportohet antivlera, nepotizmi, nihilizmi dhe servilizmi, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Xhelalin dhe xhelalët “livadhisin” në të dy krahët e politikës si modeli më vulgar i përfaqësimit politik. Në një Shqipëri të marrë peng në 30 vite tranzicion nga dy parti të vjetra, domosdo që do triumfojë “xhelalizmi” me të gjitha veset e tij perverse.
As më shumë e as më pak, të njëjtën staturë gëzon edhe Lulzim Basha i cili të vetmin njeri që ka arritur të bëjë për vete politikisht, është kunati i tij që merr tendera pafund nga Edi Rama dhe ky, kështu majm liderin e opozitës duke e bërë që të braktisë kauzat e qytetarëve shqiptarë që sot janë të përvuajtur, më të varfër dhe më të lodhur nga talljet e qeverive sistematikisht.
Por, dekorimi i Donald Trump si “Qytetar Nderi” i Kamzës ka shkaktuar xhelozi dhe zili te administrata e re e Bashkisë Kamëz. Aty, “xhelali” në miniaturë, socialisti Rakip Suli mësohet se ka nisur kontaktet me kryeministrin Edi Rama, për ta bindur këtë të fundit që ta lejojë të shpallë “Qytetar Nderi” të Kamzës presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, nga radhët e demokratëve. “Dy xhelalët”, kanë një pikë të përbashkët, mediokritetin që iu lexohet në fytyrë me kilometra larg. Shih urbanizimin e Kamzës dhe vlerëso vizionin e këtyre kryebashkiakëve trushpëlarë që nuk marrin erë nga punët e qeverisjes, por përdorin në funksion të demagogjisë dhe të interesave meskine të partive të vjetra që përfaqësojnë, çdo resurs apo edhe buxhet direkt që vjen nga taksat e qytetarëve.
Prandaj edhe “dy xhelalët” e Kamzës nuk kanë ndryshime të qenësishme nga njëri-tjetri. Për dreq, janë edhe patriotë, me siguri njihen që nga fëmijëria, por politika i ndau.
Mirëpo, përpjekja e “xhelalit II” për të nderuar presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden, do hasë në rezistencë. Kjo pasi, “xhelalizmi” ka qimen e derrit dhe nuk dihet, fati i keq e përndjek edhe Biden, njësoj si Trump që pasi u shpall “Qytetar Nderi” i Kamzës, humbi zgjedhjet presidenciale në mënyrë krejt të papritur dhe tani do t’i duhet të lërë edhe Shtëpinë e Bardhë. Në fund të fundit, edhe nëse Joe Biden do të shpallet “Qytetar Nderi” në Kamëz, ajo që do të shohim do të jetë sërish i njëjti skenar i kriptuar, Rakip Suli do të dalë foto me Edi Ramën njësoj si dyshja Xhelal-Lul.