Juristja e të Drejtës Ndërkombëtare Margarita Kola deklaron se Gjykata e Strasburgut pritet të refuzojë të gjitha paditë e prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut. Në një intervistë për emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” foli për reformën në drejtësi si dhe për lidhjen e politikës me sistemin e drejtësisë.
Nga Roland Qafoku
Avokatja e njohur Margarita Kola njihet si juriste e të Drejtës Ndërkombëtare. E ftuar në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU”, Kola deklaroi e bindur se pas rastit të gjykatëses Altina Xhoxhaj, kërkesa e së cilës u refuzua nga Gjykata e Strasburgut, edhe padi të tjera do të refuzohen. Lidhur me reformën në drejtësi, Kola u shpreh se ajo ka bërë përparime, ndërkohë që tha se në SPAK ka prokurorë të politizuar. Përsa i përket korrupsionit në politikë, për Kolën një nga fajtorët kryesorë është edhe sistemi I drejtësisë.
“Pas rastit Xhoxha, Strasurgu do refuzojë të gjitha paditë e gjyqtarëve të përjashtuar nga drejtësia shqiptare”
–Jemi në një situatë ku një nga gjyqtaret që nuk e ka fituar vetingun, Altina Xhoxhaj , është refuzuar që çështja të shqyrtohet nga gjykata e Strsburgut. A e cilësoni këtë si një pikë kthese?
-Unë mendoj dhe kam pasur bindjen se shumica e rasteve që shkonin në Strasburg nuk do të pranoheshin nga ky institucion.
-Pse e kishit këtë bindje?
-Specialiteti im është e drejta ndërkombëtare dhe lidhet ngushtësisht me gjykatën ndërkombëtare. Fakti që unë mendoja se nuk do pranoheshin shumica e këtyre çështjeve në Strasburg varet nga fakti se kjo gjykatë nuk pret çdo çështje. Gjykata e Strasburgut është Gjykata e të Drejtave të Njeriut.
-Edhe kjo e drejtë e njeriut është.
-Fakti që prek çështje vetëm të të drejtave të njeriut do të thotë që nëse gjatë proceseve gjyqësore kanë ndodhur shkelje proceduriale ose ligjore, të cilat bien ndesh me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe duhet që kjo çështje të jetë ngritur gjatë procesit gjyqësor dhe jo të vijë më një goditje në Gjykatën e Strasburgut. Gjatë procesit jo vetëm të ketë ndodhur shkelja, por duhet që dhe ta kesh vënë në dukje gjatë procesit të gjyqësorit të kesh thënë në gjykatë që kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Gjatë procesit ti e konstaton kur po të bëhet një paligjshmëri. Pra, duhet të jetë ngritur si diskutim kjo çështje. Kjo është arsyeja teknike. Atje ka një komitet që vendos nëse kjo është apo jo një çështje materiale që I përket juridiksionit të kësaj gjykate. Mundt ë jetë dhe një arsye tjetër që vendimi I cili ka çuar Kolegji I Apelimit ose dhe Kolegji I shkallës së parë , mund të ketë qenë I arsyetuar mirë dhe nuk kanë gjetur ndonjë rrjedhje ose ndonjë hapësirë që kjo çështje të diskutohet.
-Është kjo një çështje e cila mund të shërbejë si kauzë edhe për çështjet e tjera?
-Mendoj që shumica e çështjeve do të rrëzohen nga Gjykata e Strasburgut. Nëse shteti vendos të bëjë një reformë, është në sovranitetin e shtetin dhe nëse kjo reform ecën me parametra të faktorit ndërkombëtar, sepse e mira që sjell është një e mirë publike.
-Pse thoni shumicën dhe jo të gjitha?
-Mund të jenë dhe të gjitha. Nuk e di se me çfarë arsye kanë shkuar në Gjykatë të Strasburgutrastet.
“Që politika është e korruptuar, faji është edhe i Drejtësisë”
Avokatja e njohur deklaron se politika në Shqipëri është e korruptuar, por faji nuk është vetëm i saj. E ftuar në “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” Kola u shpreh se sistemi i drejtësisë ka një pjesë të fajita në këtë situatë.
-Pushteti I Drejtësisë ka qenë një ishull I izoluar. Askush nuk fliste për atë, por në të ndodhte çdo gjë. Fakti që kemi korrupsion edhe në mes të qeveritarëve është shumë faj edhe I pushtetit të drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që shteti funksionon nëpërmjet tre pushteteve të veta sepse kanë një check and balance përmes njëri-tjetrit. Balanca I përket faktit që pushtetet janë të ndara dhe ruajmë zonat tona , por nga ana tjetër kontrollojmë njëra-tjetrën. Pushteti legjislativ kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ndodh një korrupsion, ose një pushtetar është I korruptuar, atëherë duhet të shkojë në duart e drejtësisë. Drejtësia duhet të japë drejtësi, kjo është çështja. Pra, është edhe faj I pushtetit të drejtësisë që kemi jo vetëm gjyqtarë të korruptuar, por edhe politikanë të korruptuar. Ka dhe në botë politikanë të korruptuar, por nëse atje bien në rrjetën e drejtësisë nuk shpëtojnë. Këtu, edhe nëse shkojë në rrjetën e drejtësisë, gjyqtarë të korruptuar ose të politizuar nuk jepnin vendimet e duhura. Duke mos u ndëshkuar u krijua fabula apo anekdota “futu në politikë që të bëhesh i pasur”.
-Po vetë drejtësia pse nuk është rregulluar?
-Sistemi I drejtësisë është edhe vetë-rregullues sepse kemi nivele të ndryshme të gjykatave. Këto nivele synojnë që të vetë-rregullojnë marrjen e vendimeve të caktuara . Një vendim që merret në shkallën e parë, kontrollohet në gjykatën e lartë nëse është i drejtë apo jo. Problemi ka qenë që strukturat përveç gjykatave që rregullojnë vendimet që merren, strukturat që e realizojnë ose e mbajnë në këmbë të gjithë sistemin e drejtësisë , në vetvete kanë qenë të politizuara. Një nga synimet që ka pasur reforma në drejtësi ka qenë edhe fakti që strukturat si KLGJ, ose KLP, ose KED, të kishin ndikim sa më të vogël nga politika dhe të ishin të shkëputura nga ajo. Sistemi gjyqësore e mbronte politikën për faktin se ata që e rregullonin sistemin e drejtësisë ishin të politizuar, ose gjyqtarët zgjidheshin në mënyrë të politizuar. Dhe është shumë e qartë pse ka funksionuar në këtë mënyrë.
“ Në SPAK ka prokurorë të politizuar”
SPAK është institucioni më i rëndësishëm i dalë nga reforma në drejtësi dhe atje i kanë sytë të gjithë për të bërë goditje ndaj krimit në politikë. Por si funksionon ky institucion? Margarita Kola pavarësisht vlerësimit, deklaron se atje ka prokurorë të politizuar.
-Njerëzit kujtojnë se SPAK është butoni që zgjidh gjithçka. Cili është komenti juaj?
–Në fakt SPAK nuk po performon në pritshmërie që ka pasur publiku I gjerë, por edhe neve që jemi persona të ligjit. Pritshmëria e publikut, por edhe e të tjerëve të cilët nuk janë publik por njohin sistemin dhe janë pjesë e sistemit, ka qenë shumë e lartë. A janë të përgatitur anëtarët e SPAK për të hetuar çështje të tilla? Sepse ne sapo thoshim deri tani që ne nuk kemi hetuar fare mbi korrupsionin. Për të hulumtuar një rrjet korrupsioni ose të niveleve të larta, ti duhet të kesh metodat por edhe hapësirë që të interferosh deri atje dhe ta zbulosh. A janë këta totalisht të çliruar dhe të mbrojtur dhe me një status që I lejon të bëjnë këto hetime?
-Formalisht ka.
–Dhe e treta, a janë kaq të depolitizuar? Sepse këta janë edhe personat që do zgjedhin.
-A janë kështu?
-Disa po. Disa jo.
-Jeni duke thënë se në SPAK ka prokurorë që janë të politizuar?
-Po ka. Shumë nga ata e dinë për kë e kam fjalën. Janë disa element që e bëjnë SPAK-un të mos performojë në bazë të pritshmërive që ne kemi.