Panorama e zgjedhjeve të 25 prillit tashmë është e qartë dhe kutitë e mbetura pa u numëruar nuk presin të përmbysin rezultatin e deritanishëm, e megjithatë, kjo nuk ka ndikuar që kreu i PD-së, Lulzim Basha të dalë për mediat dhe t’u drejtohet me një mesazh votuesve të opozitës.
Ai vijon të hesht, në një kohë që brenda PD-së kanë filluar që të ngrihen zërat kundër tij dhe të kërkojnë dorëheqjen pas dështimeve në tre zgjedhje. Mirëpo teksa hesht, raportohet se Basha ka nisur një sërë takimesh të njëpasnjëshme në selinë blu. Ai ka pritur fillimisht koordinatorin e drejtuesve politik në qarqe, Eduard Halimin, koordinatorin e fushatës, Alfred Rushajn, drejtuesin politik të Elbasanit njëherzi Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhin. Në seli kanë mbërritur edhe aleatët e tij të vegjël, njëri pas tjetrit nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi si edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
PD në zgjedhjet e 25 prillit ka njohur një rritje krahasuar me 2017 ku ka marrë 59 mandate, nga 46 që ka pasur, por të pamjaftueshme përballë 74 mandateve të fituara nga socialistët të cilët do qeverisin të veten në fitoren e tyre historike.