Kreu i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha dje se mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nuk ka pazare politike në lidhje me “komisionet e vetingut”. Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve vendosi të mos ngrejë komision hetimor për Becchetin dhe inceneratorët, duke u dakordësuar vetëm për komisionin hetimor për zgjedhjet.
PS dhe PD gjejnë dakordësi vetëm për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit, por jo për inceneratorët dhe çështjen Beçetti. Këtë konfirmoi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Ai ka mohuar të ketë pazare politike mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Sipas Ballës, çështjet për të cilat do të arrihet konsensus duhet të jenë në interes të vendit dhe jo të partive. “Nuk ka asnjë lloj pazari, sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili prej ne deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon. Gatishmëri për të qenë në mënyrë vijuese, të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.
Alfed Rushaj
Opozita do të vijojë betejën e saj për ta ngritur komisionin hetimor mbi çështjen Beçhetti, pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, kështu u shpreh kreu i grupit të Partisë Demokratike, Alfred Rrushaj, pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve. “Justifikimi është një letër që paska sjellë avokati i shtetit, dhe socialistët thonë që është kundër interesit të Shqipërisë. Në fakt, ngritja e këtij komisioni është kundër interesit të Edi Ramës”, tha kreu i grupit Parlamentar i Partisë Demokratike Alfred Rushaj. Ai theksoi se është e turpshme që PS-ja barazon interesin e saj e Edi Ramës me të shqiptarëve. “Është e turpshme që PS-ja barazon interesin e shqiptarëve me interesin e Edi Ramës dhe disa nëpunësve të tij, në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk do ta pranojmë këtë pjesë, do të bëjmë çfarë kemi në dorë që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë pse do të paguajnë 120 milionë euro”, tha ai.
Komisionet hetimore
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka rënë dakord për ngritjen e komisioneve hetimore, atë të inceneratorëve dhe atë të masakrës zgjedhore të kërkuar nga Partia Demokratike, por nuk ka rënë dakord për komisionin hetimor për çështjen Bechetti. Taulant Balla sqaroi se ky për këtë të fundit, ngritja e komisionit hetimor bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese dhe dëmton interesat e Shqipërisë. “Pakica ka të drejtë të ngrejë komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me kushtetutën dhe kjo bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese ligjore që po zhvillon Shqipëria,. Në këtë fazë të proceseve gjyqësore të arbitrazhit, interesi më i madh është i Shqipërisë, ne nuk mund t’i bëjmë shërbim një individi para Shqipërisë dhe Shqipëria po mbron interesat e saj dhe ky ka qenë sugjerim dhe i avokatit të shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ligjor për këtë çështje ne mund ta ngremë këtë komision në një moment të dytë. Unë do të mbaj qëndrimin e plotë të mazhorancës për këtë çështje dhe investimi i Kuvendit që është sa i të majtës dhe të djathtës mund të vendoste në pikëpyetje ecurinë e procesit gjyqësor të arbitrazhit dhe GJEDNJ, dhe ky komision mund ta dëmtonte Shqipërinë”, tha Balla.
Nikolla takon përfaqësuesen e OSBE-së për median
Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias ishte tema e diskutimit mes kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë në Media, Teresa Ribeiro. Sipas Nikollës, Shqipëria e konsideron lirinë e shtypit një shtyllë të demokracisë. “Kuvendi është i vendosur për garantimin e lirisë së shtypit, në mënyrë të plotë e pa pengesa. Ne mbetemi gjithashtu të përkushtuar për të bashkëpunuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve, si edhe qasjen në informacion të besueshëm, përmes shtypit të lirë, të pavarur, pluralist dhe të larmishëm, duke zbatuar standartet ndërkombëtare” – është shprehur Nikolla. Teresa Ribeiro e Lindita Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe vuri në dukje vullnetin e OSBE-së për të bashkëpunuar për pëmirësimin e legjislacionit shqiptar për median, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, standarteve të BE-së dhe OSBE-së, si edhe duke harmonizuar nevojën publike, legalitetin e proporcionalitetin, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës.