Ndërsa vendimi i institucionit të drejtësisë duhet të jetë tërësisht i ftohtë mbi prova, fakte dhe interpretime ligjore, kjo duket se nuk po ndodh. Palët politike janë përplasur mbi vendimin e mundshëm të 3 marsit nga Gjykata e Apelit për çështjen e vulës dhe logos së PD-së. Sali Berisha ka akuzuar Ramën dhe Ballën se po ndikojnë në gjyqësor, ndërsa mazhoranca shprehet se protestat janë ata që po tentojnë të frikësojnë drejtësinë.
Politika, dhe sidomos Partia Demokratike e fraksionuar mezi po pret zhvillimin e seancës gjyqësore në 3 mars për të mësuar vendimin se kujt i takon logo dhe vula e PD-së. E megjithëse kjo është një përplasje brenda dy PD-ve, ata që e shohin më me interes fitoren njërës palë të betejës së kundërshtarëve është edhe Partia Socialiste. Kjo e fundit nuk kërkon përballje me Berishën si drejtues i partisë së dytë më të madhe politike në vend. Edhe kjo duket se u lexua edhe gjatë përplasjes që kishte brenda dhe jashtë parlamentit mes Taulant Ballës dhe Sali Berishës. Balla tha gjatë fjalës në Kuvend se pas datës tre mars nuk do të jetë më parlamenti kështu, duke nënkuptuar se partia do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili është më luajal ndaj lojës politike të Edi Ramës se Sali Berisha i cili ka një luftë në shesh beteje me Edi Ramën. Balla tha se data 3 mars do të jetë “qetësia” e Kuvendit duke nënkuptuar pikërisht një vendim të diktuar politikisht, pasi shprehja është “Të flasi një herë gjykata”, dhe pastaj politika, kësaj here është e kundërta. Kjo gjë u kap edhe nga ish- kryeministri Sali Berisha, i cili ktheu përgjigje nga mesi i turmës së protestës pas reagimit të Ballës. “Unë nuk mendoj që është normale që Kuvendi t’i zhvillojë seancë me seancë me të njëjtën qasje. Mësoni të bëni kërkesa e për t’iu drejtuar Byrosë duhet të vish me provë shtesë. Thirrja ime është, ne s’jemi aspak të kënaqur që të marrim vendime për përjashtim kolegësh, por në Kuvend, vjen deputeti shkul mikrofonin dhe i bie foltores si daulle, prandaj nuk komunikoj dot me qytetarët se më kanë dalë njerëz këtu që se di pse. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, u shpreh Balla. Berisha nuk vonoi në kundërpërgjigje duke premtuar “luftë” tjetër me kryeministrin Edi Rama. “Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare”, tha Berisha nga jashtë Parlamentit. Ai tha se: “Protesta kombëtare e 3 marsit thotë se nuk ka lidhje me gjykatën, por me Edi Ramën, ndërsa vijoi të përsërisë thirrjen për një revolucion paqësor: “Për tre minuta, jemi brenda në Parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon. 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin”. Edhe pas deklaratës së Berishës, Balla ka mbajtur një tjetër qëndrim. Edhe pse ishte i sigurt që pas 3 marsit situata do të ishte ndryshe, ai jashtë Kuvendit dje tha se është njeriu i fundit që i intreson se kush do e marr PD-në. “I fundit që i intereson se si del vendimi për PD në 3 mars, jam unë. S’kam asnjë lloj meraku. Po ja thonin njëri-tjetrin, që ‘fitoj unë!”. Ky vendim ka të bëjë me një presion që i bëjnë palëve. S’jam orakull”, tha Balla. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend, teksa jashtë godinës opozita ishte në protestë, i kërkoi opozitës që të ndryshojë. “Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Këtë e kemi thënë në seancën e shkuar. Në pamundësi për t’u zhvilluar më 23, debati do të zhvillohet me datën 2, sipas të gjitha kërkesave, përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit. Çdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë. Komisioni hetimor po shqyrtohet nga konferenca e kryetarëve”, tha Balla.
Berisha: Më 3 mars, ditë fitoreje për revolucionin! Marshimi ynë do jetë drejt Surrelit
Nga protesta që thirri para Kuvendit, Sali Berisha thotë se 3 marsi do të jetë ditë fitoreje për revolucionin. Ndonëse është data e përcaktuar për fatin e vulës së PD, Sali Berisha thotë se nuk do të jetë ai qëllimi, por revolucioni për rrëzimin e Edi Ramës. Teksa ka bërë thirrje për marshim drejt Surrelit si një veprim për vijimësinë e betejës, jep edhe një paralajmërim për Gardën që ka rrethuar godinën e Kuvendit. Sipas Berishës, nëse duan mund të hyjnë për 3 minuta brenda Kuvendit por zgjedhin të mos e bëjnë për shkak se kanë zgjedhur rrugën paqësore. Nga protesta jashtë Kuvendit, Sali Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim si deputetët e opozitës në sallë duke thënë se po shkelmohet Kushtetuta. “Jeni zëri i vërtetë i çdo shqiptari kudo ndodhet. Dua të qartësoj se kjo është betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, e cila shkelmohet nga banditët, porositës të vrasjeve, nga padronë të klaneve të drogës, të krimit.28 burra dhe gra të votuar nga zgjedhësit shqiptarë gjykojnë se duhet të hetojnë, duhet të sjellin para zgjedhësve të tyre të vërtetën mbi këtë çështje kurse trafikantë dhe kukulla pa asnjë dinjitet njerëzor të Edi Ramës bllokojnë këtë të drejtë të deputetëve të opozitës vendosën hetimin e udhëtimeve të Edi Ramës në të cilat ka shpenzuar me avionin e tij me dhomë gjumi luksoze dhe me 22 rroga nga më të majmet të personelit ka shpenzuar mbi 22 milionë euro në 137 fluturime. Presidenti i SHBA kishte realizuar gjithsej me AirForce1 40 fluturime, pra njeriu që ka përgjegjësinë e botës kishte parë të nevojshme 40 udhëtime kurse Edi Rama, 137 fluturime me avion në dispozicion të gjithë taksat tuaja, e gjithë mundi juaj kurse fëmijët largohen e vetëm largohen nga ky vend”, tha Berisha.