Ministria e Mbrojtjes raporton se bazuar nga informacioni i marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.
Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarqet e sipërpërmenduara, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile thotë se janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bën thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë./kb