Ish-kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se PD e drejtuar prej tij do të ketë “agjendë të ngjeshur” më 16 tetor kur do të mbahet në Tiranë Samiti i Berlinit, për të denocuar sipas tij kryeministrin Rama para liderëve të BE-së.
Kreu i Grupit të Rithemelimit Sali Berisha duket se ka një skenar të qartë për të anatemuar kreun e qeverisë Edi Rama në ditën kur në Tiranë do të mbahet Samiti i Berlinit, ku marrin pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. Lideri i Rithemelimit nuk tregoi si do ta bëjë këtë, por ka bërë me dije se nuk do të jetë i njëjti skenar me 6 dhjetorin e shkuar, kur demokratët organizuan një protestë kundër qeverisë, pikërisht ditën në të cilën Tirana priste liderët e vendeve të BE-së. “Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij. Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha. Teksa akuzoi Ramën se po përpiqet që të përçajë opozitën, ish-kryeministri deklaroi se po bëhet analizë e thelluar për rezultatin e 14 majit dhe kërkoi nga të tijtë mobilizim për një stinë protestash. “Kjo analiza e jona, duhet të ketë qëllim më madhor, motivimin e mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve tanë për fillimin sa më parë të një beteje të qëndrueshme, të një lëvizje të fuqishme popullore, që duhet të ketë synimin më madhor, largimin e Edi Ramës nga pushteti”, shtoi ish-kryeministri. Para se të mblidhte Kryesinë, Berisha publikoi një video që sipas tij tregon atentatin e dështuar ndaj ish-kreut të Bashkisë Shëngjin, Salvator Kaçaj, para e zgjedhjeve. Kreu i Rithemelimit akuzoi direkt Ramën se fshihet pas kësaj ngjarje, ndërsa risolli në vëmendje qëndrimin e kryeministrit që komentonte me humor incidentin duke e quajtur mashtrim.
Agjenda
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbledhë në Tiranë, më 16 tetor, liderët e rajonit dhe të BE-së për të diskutuar mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Edi Rama, si mikpritës, ka zgjedhur ambientet e reja të Piramidës për të mbajtur këtë takim në kryeqytetin shqiptar. Në orën 11:00 do të nisë mbërritja e liderëve ndërsa punimet e këtij samiti do të hapen 30 minuta më vonë nga fjala e kryeministri Rama, Kancelarit Scholz, Presidentit të KE Ursula Von der Leyen dhe kreu i këshillit Europian Charles Michel. Do të ketë dy sesione të ndara, të cilat lidhet me integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt tregut të unik të BE-së çka sipas Brukselit do të bëjë të mundur edhe për integrimin ekonomik me faza. Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale. Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen. Liderët do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në inaugurimin e dytë të Piramidës në orën 18:30. Sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nga kriminelë serbë të armatosur pritet të jetë temë e tryezës së procesit të Berlinit. Për këtë do të mendojë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me Ana Brnabic dhe jo Presidentin Aleksandër Vuçiç. Ashtu si në ministerialin e shefave të diplomacisë edhe në takimin e liderëve, Prishtina do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, si një kusht i vendosur për rinisjen e dialogut. Gjermania me anë të ministres së Jashtme e bëri të qartë se tensionet mes fqinjëve do të rrezikojë rrugën e integrimit për këto shtete. Përpos kryeministrave të rajonit, në kryeqytetin shqiptar do të jenë drejtuesit e institucioneve të BE-së si dhe liderët e 10 shteteve të unionit që mbështesin Procesin e Berlinit. Nga Gjermania si ideator me kancelarin Olaf Scholz, Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak si dhe presidentin francez Emanuel Macron, i cili do të zhvillojë edhe takim bilateral me homologun shqiptar Bajram Begaj. Për këtë vizitë kryeministri Rama ka shkuar edhe në zyrën e Presidentit Begaj për ta njohur me detajet e takimit bilateral që do të ndodhë një ditë pas Samitit të Beerlinit, pasi Macron do të qëndrojë në Tiranë 2 ditë, duke shënuar edhe vizitën e parë zyrtare për një president francez në vendin tonë. Nga samiti, dhe Macron veçanërisht, do të kërkohet më shumë qartësi për 2030, nëse është një afat mundshëm për integriminin e rajonit apo kjo datë do të mbetet në varësi të zhvillimeve të gjeopolitikës, ku interesat ndërthuren përtej kufijve të Ballkanit Perëndimor./kb