Qeveria shqiptare ka vendosur të ketë në dispozicion një fond të konsiderueshëm që do të shërbejë për mbarëvajtjen e Samitit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Piramida pritet të jetë vendi ku liderët e BE-së do zhvillojnë takime dhe mbajnë konferenca. Samiti vjen në një kohë kur vijon lufta Rusi-Ukrainë, së fundmi Izrael-Palestinë dhe Ballkani që mbetet i trazuar në Veri të Kosovës e cila kërcënohet nga aktet terroriste dhe agresioni që vjen nga Serbia.
Më 16 tetor në Tiranë do të mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit ku do të marrin pjesë liderët e rajonit dhe të BE-së për të diskutuar mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Në thelb mbajtja e këtij takimi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë e cila ende nuk është pjesë e Bashikimit Europian por do të ketë një kosto jo shumë të vogël për buxhetin e shtetit. Dje Qeveria ka akorduar një fond prej 510 milionë lekësh për shpenzimet e samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, e para herë jashtë vendeve të BE-së. Sipas vendimit të botuar në fletoren zyrtare, ky fond i kalon në buxhetin e miratuar për vitin 2023 Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit
Mbajtja e Samitit
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbledhë në Tiranë, më 16 tetor, liderët e rajonit dhe të BE-së për të diskutuar mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Edi Rama, si mikpritës, ka zgjedhur ambientet e reja të Piramidës për të mbajtur këtë takim në kryeqytetin shqiptar. Në orën 11:00 do të nisë mbërritja e liderëve ndërsa punimet e këtij samiti do të hapen 30 minuta më vonë nga fjala e kryeministri Rama, Kancelarit Scholz, Presidentit të KE Ursula Von der Leyen dhe kreu i këshillit Europian Charles Michel. Do të ketë dy sesione të ndara, të cilat lidhet me integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt tregut të unik të BE-së çka sipas Brukselit do të bëjë të mundur edhe për integrimin ekonomik me faza. Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale. Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen. Liderët do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në inaugurimin e dytë të Piramidës në orën 18:30. Sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nga kriminelë serbë të armatosur pritet të jetë temë e tryezës së procesit të Berlinit. Për këtë do të mendojë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me Ana Brnabic dhe jo Presidentin Aleksandër Vuçiç. Ashtu si në ministerialin e shefave të diplomacisë edhe në takimin e liderëve, Prishtina do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, si një kusht i vendosur për rinisjen e dialogut. Gjermania me anë të ministres së Jashtme e bëri të qartë se tensionet mes fqinjëve do të rrezikojë rrugën e integrimit për këto shtete. Përpos kryeministrave të rajonit, në kryeqytetin shqiptar do të jenë drejtuesit e institucioneve të BE-së si dhe liderët e 10 shteteve të unionit që mbështesin Procesin e Berlinit. Nga Gjermania si ideator me kancelarin Olaf Scholz, Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak si dhe presidentin francez Emanuel Macron, i cili do të zhvillojë edhe takim bilateral me homologun shqiptar Bajram Begaj./kb