Kryeministri Edi Rama ka vendosur të marrë masa ekstreme ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e distancimit social dhe karantinimit përballë rrezikut që paraqet koronavirusi.
Në një komunikim me qytetarët Rama ua ka bërë të qartë të gjithë atyre, të cilët ai i cilësoi si ‘kokëshkretë’, se do të përfundojnë pas hekurave nëse thyejnë rregullat e karantinimit dhe dynden si ditën e sotme në tregjet e Tiranës pa pyetur për jetët e të tjerëve.
Gjithashtu kryeministri u shpreh se të gjithë ata që sillen vërdallë dhe thyejnë rregullat e karantinimit mund t’i bëjnë gjëmën vendit duke infektuar gjithë popullsinë.
“Sot jam mërzitur pa masë për pamjet skandaloze të tregut të Kombinatit. Ajo që ndodhi sot në tregun e Kombinatit nuk ndodhi javën e shkuar. Pra nuk është çështja tek orari i vendosur apo kufizimi. Çështja është tek disa mendje të ndritura që mendojnë se këtu numra vdekjesh nuk janë reale. Dhe për këtë gjë mjaftojnë disa ‘kokëshkretë’ që kujtojnë se ia hedhin virusit. Kjo nuk ndodh kudo në Tiranë, por në tregun e Kombinatit. Por kjo del dhe tepron për t’i bërë gjëmën jo vetëm Tiranës por të gjithë Shqipërisë. Po të ishte çështje orari do ndodhte kudo dhe do na ishte vënë zjarri me kohë. Kjo ndodh sepse disa nuk kanë vënë mend. Ku ka më keq se sa të mos i japësh lamtumirën njeriut të dashur. Ka ndodhur gjithë këto javë që policia ka mbyllur lokale ku iu ofrohet kafe dhe raki trimave të lagjeve. Kjo mund të çojë në përhapje më të madhe infeksioni. Ja kush është plani që po përgatisim, si fillim do të zgjasim fashën orare, por paralelisht do të rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura do të shkojmë deri në heqje lirie për ata që shkelin kohë-daljet për pazare, të cilën mund ta zgjasim edhe pak më shumë që të mos kemi llafe fare me asnjë nga kompetentët që qahen për kohën e shkurtër. Nuk mund dhe nuk do të lejojmë më që të ketë, thjesht mbyllje apo konfiskim por deri heqje lirie për autorët e këtyre akteve kriminale në kohë lufte. Nuk mund ta humbim këtë luftë për qejfin e atyre që nuk duan të marrin vesh. Deri kur të bjerë bilbili i fundit duhet të vazhdojmë të rezistojmë në këtë mbrojtje të fortë dhe të mbështesim fort njëri-tjetrin. Bilbili do të bjerë edhe për sabotatorët e papërgjegjshëm…”, u shpreh Rama.