Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni do të bëjë një vizitë në Tiranë më 5 qershor. Fokusi i vizitës së kreut të Qeverisë do të jetë kampi i refugjatëve që do të sjellë Italia në Gjadër. Kryeministrja e Italisë vjen në Shqipëri një ditë para se të bëhen zgjedhjet për Parlamentin Europian, që mesa duket po bën fushatë me refugjatët në Shqipëri
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampit për të pritur refugjatët afrikanët është duke i ardhur fundi i materializimit. Në Gjadër po mbarojnë punimet për ngritjen e kampit që u bë me investimin e shtetit italian. Meqë pritet që të hapen dyert e pritjes së refugjatëve, Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni do zhvillojë një vizitë në Tiranë më 5 qershor. Ajo do të pritet nga kryeministri Edi Rama. vizita e saj në Tiranë vjen një ditë para se në Itali dhe gjithë vendet e BE do të zhvillohen zgjedhjet europiane. Duket se Meloni do të bëjë politikë me refugjatët afrikanë, duke e konsideruar marrëveshjen me Shqipërinë si kalin kryesor të betejës së saj elektorale. Kryeministrja e Italisë e ka shitur dhe e ka lavdëruar gadishmërinë e Edi Ramës për ngritjen e kampit të refugjatëve në vendin tonë. Me shumë gjasa do të bëhet edhe një inspektimi i punimeve në kampet e emigrantëve Gjadër e Shëngjin.
Marrëveshja
Porti i Shëngjinit do të jetë pikë pritëse për emigrantët e paligjshëm që kërkojnë të futen në Itali. Kështu tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila njoftoi edhe nënshkrimin e marrëveshjes me homologun shqiptar, Edi Rama. “Shqipëria do t’i japë Italisë mbështetje duke e lejuar të përdorë disa zona, ndërsa Italia do të kryejë procesin e seleksionimit. Refugjatët që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore mes atyre që kanë të drejtë dhe jo të përfitojnë azil”, tha ajo. Sipas Melonit, deri në 36 mijë persona në vit mund të kalojnë nga këto struktura, në pritje të verifikimit të kërkesës së tyre për azil. “Shqipëria edhe pse nuk është vend i BE-së sillet si vend anëtar”, tha Meloni për vendin tonë gjatë një konference të përbashkët për mediat me Ramën. “Kjo marrëveshje që kemi bërë sot është shumë e rëndësishme dhe një marrëveshje inovative, mbi bazën e të cilës mund të lindin edhe nisma të tjera”, tha Meloni.
Zgjedhjet në Itali
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të kandidojë në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në 6 qershor në një përpjekje për të rritur mbështetjen për partinë e saj “Vëllezërit e Italisë”. Zgjedhjet që mbahen prej 6 deri më 9 qershor për Parlamentin Evropian shihen si një provë kyçe për forcës që gëzon në elektorat koalicioni i saj i djathtë 18 mujor. “Ne duam të bëjmë në Evropë atë që bëmë në Itali, të krijojmë një shumicë që bashkon forcat e qendrës së djathtë e që do ta çojë të majtën në opozitë”, u tha Meloni mbështetësve në një konferencë partie në qytetin bregdetar të Peskarës, nga ku dhe nisi fushatën. Meloni, partia e së cilës i ka rrënjët tek grupi fashist i Benito Musolinit, bëri thirrje për daljen e Italisë nga euro-zona kur ishte opozitë dhe fitorja e saj në zgjedhjet e vitit 2022, ngriti shqetësime në disa kryeqytete evropiane. Megjithatë, ajo ka ndjekur një linjë gjerësisht pro-evropiane gjatë qëndrimit në detyrë, veçanërisht mbi çështjet e politikës së jashtme, si Ukraina dhe Lindja e Mesme. Emri i Meloni do të jetë i parë në fletën e votimit për partinë “Vëllezërit e Italisë”, në të pesë zonat zgjedhore të Italisë, por ajo u zotua se nuk do të përdorë “asnjë minutë” nga koha e saj si kryeministre, për të bërë fushatë për zgjedhjet për Parlamentin Evropian.