(Vështrim interpretativ mbi romanin Medaljoni i Dyrrahut të autorit Pol Milo)
Nga Ilir Paja
Nëse krishtërimi i ka të gjitha, deri dhe ringjalljen si akt i besueshëm, atëherë pyesim se çfarë ka ende për të gjetur jo thjeshtë shpirtërore? Kjo do të ishte teza e mirëpritur për çdo lexues kur të lexonte një prozë historike. Në romanin e tij “Emri i trëndafilit”,[1] Umberto Eko në një dialog mes abatëve shkruan: “… Askush s’duhet të hyjë. Askush s’mund të hyjë. Bibloteka mbrohet vetë. Ajo nuk depërtohet, ashtu si e vërteta që strehon. Dhe nuk gënjehet dot. Është labirint shpirtëror, por dhe labirint tokësor”.[2]
Do të mjaftonte një hyrje e tillë dhe pse në përqasje që secili lexues do e kuptonte dallimin, por jo dhe aq të gjykonte në largësi komparatiste, sepse romani i autorit Pol Milo kërkon të ç’dhèrosë jo një pirg deri kodrinor nëntoke. Ai me prozën e tij në romanin “Medjaloni i Dyrrahut” dhuron ndjesinë e një perceptimi, ku ish-qytetin, dhe qytetin tani mos ta shohësh për një moment. Por të ngresh dhe të ulësh atë që nëse e quajmë poshtë të fshehur nën të, ne do të shpreheshim se e vjetra antike është kokë poshtë dhe autori i jep të drejtën, me trillimin romanor, ta shkulë prej andej në terr dhe ta vë në vend të këtij që është sot. Mendojmë se nga ky vështrim, jo thjeshtë i çvarrosur, por deri arkitekturor, të ngacmon disa ndjeshmëri njëherësh. Në veprën studimore të Umberto Ekos, me titull “Për letërsinë”, citojmë: “Meqë ngjyra s’është gjë tjetër vetëm drita e diellit e burgosur dhe lënda është e spastruar […] Në zanafillë të këtij pasioni për dritën ishin prirjet teologjike, me origjinë të largët platonike dhe neoplatonike, […] teologët nga drita bëjnë një parim metafizik […]. [3] Nëse lexuesi do stepej emocionalisht duke menduar se kjo e përmbysur ose më mirë të themi kjo ringjallje e qytetit të vjetër, duke iu ngjitur në supe dhe shpinë atij, sot do të krijonte një ngjyrim dhèu kudo, duke ngjallur deri frikë nga e panjohura.
Autori e nis me një telajo magjepsëse pamjen e këtij qyteti. Është një hyrje romane me dashuri shkrimtari. Por autori udhëton jo shumë larg sepse besimi dhe fryma hyjnore nuk ka kufij largësish, dhe na dërgon në Jerusalem. Për të mos bërë historinë e këtij qyteti, të cilin as vetë shkrimtari s’ka “guxuar” të na e ribëjë, pasi mjafton të kujtojmë fjalinë e Saladinit kur mori qytetin, duke thënë se Jerusalemi për të ishte gjithçka dhe po ashtu asgjë, mendojmë se ky raport është real. Çështja duket se në gjithë botën e besimit ngulmon në zgjidhjen e një dileme ose nyjeje. Ishte mistikja që e ndërtoi aty këtë qytet dhe të ngjashëm me të apo ishte në fillim ndërtimi që lindi frymën…? Autori i romanit tonë i cili përmes një kulture të dukshme historike, por më shumë një “kulture” të brendshme narrative duke përafruar jo thjeshtë data, vite, por kohëra sulet me një qëllim herë-herë edhe prej templarësh, në një mision që realitetet krijojnë prekjen fizike, por ajo që lëviz kudo në një formë ashtu siç u krijua është shpirti. Duket se këtu nis zgjimi i personazhit Poliandër, një djalosh i arsimuar mjaft thellë me dije përtej detit, i përkushtuar përpos një malli për qytetin e tij Dyrrah, më shumë se një prekje vendlindjeje ngacmohet për një objekt. Ky objekt është “Ai, medjaloni. Është drita dhe terri njëherësh”. I dhuruar dikur nga Sofia, në duart e Solomonit, që nga i dikurshmi Jerusalem ky objekt mund të quhet i fshehur, por jo i humbur. Sepse diçka quhet e humbur kur i përket dikujt duke u larguar me vdekjen e tij. Në rastin tonë autorin e shtyn të kërkojë si një arkeolog, por pa e prekur ende poshtë dhèun, diçka që duket se e prek nëpër qytet, simbolikat e tij.
Rrugëtimi i këtij trillimi tregimar ku personazhet, edhe pse pak, janë dhe mbartin në ëndrra pesha ku rëndon e gjithë ngarkesa figurative e cila i bën këta banorë të rinj në moshë të jenë metafizika e heshtur udhëtuese e këtij qyteti. Një qytet jo vetëm lashtësor. Është diçka më shumë, është ende i pazbuluar.
Ajo që i jep kësaj proze disa rrugëtime ku narracioni këpërcen me të drejtën e trillimit, vende dhe njerëz, duke arritur deri në migrime të ringjalljes, dhe pse kaq besimplotë në doktrinën e një krishtërimi po kaq besimmadh në bindjen e gjithë secilit, autori e ndjen se ky qytet e ka kaluar një konflikt “kryqëzatë”. Nëse qytete të tjerë pushtohen dhe humbasin, me këtë ku personazhi hulumton duke e bërë intrigues si një kalorës që në raste kur përballet me mentalitete të cilat gëlojnë madhështinë e tij si qytet, por me guximin e një ruajtjeje “Don Kishoteske ” e bëjnë të preket nga halushinacione kalimesh, nga modernia në atë greke, romake dhe mesjetare.
Nëse krishtërimi ka ringjalljen pyesim se çfarë vendi zë një medalion? Nëse sipas autorit është një masë materie me fuqi nga hyjnorja na takon të themi se kemi të bëjmë me një ruajtës energjie që mbron atë që besojmë. Kjo arritje mendimi na jep të drejtë të bëjmë dhe një pyetje akoma dhe më të vështirë. Jemi në kërkim të Ringjalljes apo të gjetjes së saj?… Në të gjitha betejat e veta, njerëzimi duket se më shumë ka dënuar, por këtë dënim e ka përdorur duke ia dhuruar faljen besimit. Duket se këtu nis dhe një konflikt ku materia dhe shpirti nuk pranojnë të shkrihen në një.
Autori e ndërton arkitekturën romanore duke i dhuruar lexuesve atë të sotme, që ne pa të nuk bëjmë dot. Po ashtu, pranë kësaj, nis dhe rrugëtimin e tij kulturor që realisht është krijuar të kërkojë diçka që i përket asaj që njerëzit pothuajse nuk e kanë njohur, por mbi të gjitha e kanë harruar. Dhe njëra nga gjetjet është së pari ringjallja e vetes. Nga Umberto Eko citojmë: “Historia është liri”.[4] Një gropë. Një gërryerje dhèrash. Një zbulim i ri akeologjik. Dhe një gjetje e diçkaje të cilën e kishin, e kemi aty dhe nuk e besojmë se na përket. Autori ka jo thjeshtë kurajo. Ai dhe pse rithotë të njëjtin shqetësim qytetar mbi atë që nuk u ruajt, sërish nuk tërhiqet. Sepse nëse ka vdekur një objekt, ai është ndërtuar me bekimin e një qëllimi mistik. Atë që e ndjejmë të gjithë si revoltë e brendshme për të cilën vuajmë, Pol Milo e dhuron nëpërmjet kënaqësisë së lirisë historike.
Në romanin “Emri i trëndafilit” thuhet: “ Ti e di ç’është kjo, apo jo? Është simbol i autoritetit tim, por dhe i barrës që mbaj. Nuk është një stoli, është një përmbledhje e shkëlyer e fjalës hyjnore, roje e së cilës jam unë”.[5] Nëse do të pyesnim se çfarë është Medaljoni i Dyrrahut, përgjigja do ishte ndoshta mjaft e shkurtër sepse do përmblidhte të gjitha energjitë në një objekt. Një përgjigje pa fund do të vinte nëse ai do gjendej, por çfarë do të ndodhte me prekjen e tij? Për autorin secili lexues jeton mbi këtë ringjallje të gjumur duke e mbajtur në qafë një “Medaljon”. Është drita e një shpërthimi, por që nuk zbulohet edhe pse është kaq gjallë… Ndaj kur gërmojmë lodhemi shpejt me shkuarjen në thellësi. Sepse aty ku ndalojmë ne, aty nis trillimi hyjnor dhe jo metafizik.
Ilir Paja është poet, shkrimtar dhe kritik arti
[1] U.Eko. Romani “Emri I trëndafilit”. Botimet “Elena Gjika”. Tiranë 1996.
[2] Po aty. F.48.
[3] U.Eko. “Për letërsinë”. Shb.Dituria. Tiranë. 2002. F.24.
[4] Po aty.
[5] U.Eko. Romani “Emri I trëndafilit”. Botimet “Elena Gjika”. Tiranë 1996. F. 469.