Nga ROLAND QAFOKU
Kur të vetmet lajme të mira në Shqipëri vinin nga SPAK; kur SPAK krijoi të plotë puzzle-in e plotë si institucion dhe rritja e besimit ndaj tij në publik u rrit ndjeshëm; kur u bë e zakonshme që ministra, deputetë dhe drejtorë të vihen në pranga nga SPAK; kur u bë e zakonshme që paraqitja në godinën e SPAK të personazheve kryesorë të politikës të përfolur për korrupsion; kur SPAK u bë opozita e vetme reale e një mazhorance me shumë probleme; kur SPAK theu mitin e pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve; befas kjo mazhorancë hodhi në tavolinë një nismë për të ngritur një komision të posaçëm parlamentar antikorrupsion. Nuk kaloi shumë kohë nga idea dhe të enjten e 30 majit, me 74 vota pro ai mori dritën jeshile dhe tashmë pritet vetëm nisja nga puna.
Por çfarë është ky komision i posaçëm hetimor? Përse ka ngritur kaq shumë dyshime dhe përse ngritja e tij është shoqëruar me kaq shumë debate? Cili është qëllimi real i tij dhe a mundet që qeveria që është problemi i korrupsionit të jetë ajo goditësja e këtij fenomeni që ka gërryer Shqipërinë në këto 34 vjet?
Së pari, të gjitha dyshimet se ky komision synon të kontrollojë dhe diktojë SPAK janë të vlefshme. Deri më sot, nga përfaqësues të kësaj mazhorance është bërë disa herë pyetje të llojit “se kush e kontrollon SPAK” apo deklarata se “ne nuk jemi republikë e prokurorëve”.
Ndodhur në situatën që kjo mazhorancë është viktima më e madhe e SPAK, është ajo që ka interesin më të madh dhe po kërkon të gjejë forma të kamufluara ta monitorojë dhe nëpërmjet tyre të diktojë te struktura që po i pret pemën ku po qendron qeveria. Në fakt deri më sot, formalisht dhe publikisht, mazhoranca socialiste e ka hedhur poshtë këtë dyshim.
Që nga kryeministri Edi Rama e deri zyrtarë të thjeshtë të saj, janë shprehur në mbështetje ndaj SPAK dhe nuk ka asnjë çështje konkrete që të sulmojnë dhe atakojnë prokurorët që ua kanë arrestuar shokët. Por, e njëjta mazhorancë, në asnjë rast nuk ka sqaruar dhe nuk ka dhënë kundërargumente se si pjesë e veprimtarisë së tij ky komision nuk do të merret dhe nuk do të cënojë mbarëvajtjen e SPAK.
Së dyti, ky komision do ta ushtrojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 muaj dhe mund ta zgjasë atë në vartësi të zhvillimeve. Me një llogari i bie që ky komision e ka mandatin kohor deri më 30 mars të vitit 2025.
Duke marrë parasysh që zgjedhjet e reja parlamentare do të zhvillohen në pranverë i bie që komisioni do të funksionojë akoma, ose gjatë ditëve të fushatës, ose në prag të saj. Por në Kushetutë ka një klauzolë që ndalon çdo aktivitet parlamentar 45 ditë përpara ditës së votimit.
Me një SPAK që vijon punën e vet dhe nuk ndikohet nga agjenda e partive dhe zgjedhjeve dhe me një komision antikorrupsion që funksionon në prag të zgjedhjeve, raporti SPAK-Komision Antikorrupsion mund të ndërlikohet. Si mund të jetë aktiv një komision, ndërsa vendi është duke shkuar në zgjedhje? Mendja ta do të kuptosh se kjo bëhet për të ndikuar sa më shumë në situata që SPAK mund të përmbysë çdo kuotë të rritur mjafton me disa arrestime.
Së treti, objekti kryesor i këtij komisioni është thellimi i luftës ndaj korrupsionit. Cilit korrupsion? Të kryer nga kush? Sigurisht korrupsionit të qeverisë. Por deri tani kush e ka penguar qeverinë për të luftuar korrupsionin?
Çfarë kanë bërë dhe për çfarë e kanë marrë rrogën të gjithë ata zyrtarë që detyrën e vetëm kanë luftën ndaj korrupsionit në institucione? Nëse i përmbahemi raportimit të fundit të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, institucionet e qeverisjes nuk bashkëpunojnë dhe nuk kanë depozituar asnjë denoncim për të luftuar korrupsionin? Kjo është një deklaratë e qartë që e hedh poshtë këtë superdëshirë të qeverisë për ta luftur korrupsionin.
Pra, ndërsa drejtësia deklaron se qeveria dhe institucionet shtetërore nuk bëjnë asnjë përpjekje për të luftuar korrupsionin, vetë qeveria deklaron se nga tani e tutje ajo do të bëhet nismëtare dhe do të luftojë korrupsionin në shkallë të gjerë. Ky është vetëm një nonsens në shkallë të gjerë.
Së katërti, ky komision ka shpallur si synim të tij përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet. Kjo ka një problem kardinal sepse, kur për pak kohë, PS të futet në vitin 12-të qeverisjes dhe në vitin e fundit të mandatit të tretë dhe harton një strategji për një qeverisje më të mirë, është një sforco e madhe për të bindur publikun saqë të duket si një tallje po aq e madhe. Nuk ka asnjë praktikë, në Shqipëri dhe në botë, që pas 12 vjetësh në pushtet, një qeveri shpall një strategji me qëllimin se në të ardhmen do të qeverisë më mirë.
Së pesti, klauzola që duket sikur e përligj këtë nismë dhe këtë komision të posaçëm është pika kur mazhoranca deklaron se ngritja e këtij komisioni lidhet me forcimin e ligjit duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportin Screeninin të Komisionit Evropian.
Edhe kjo ka një nosnsens, madje mund të quhet i llahtarshëm për atë që nuk ta rrek as logjika e as fantazia. Shumica e raporteve ndërkombëtare, ato të BE-së, por veçanërisht të State Departament janë tejet kritike për qeverinë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit, në luftën ndaj trafiqeve, por edhe në liritë dhe të drejtat e njeriut. Atëherë si mundet që qeveria i referohet BE-së për atë që do të bëjë për 10 muaj dhe nuk ka pranuar në asnjë rast raportet po të kësaj BE-je dhe SHBA për pikat e zeza të kësaj qeverie?
Së gjashti, brenda kuadrit të raporteve të Shqipërisë me ndërkombëtarët, ngritja e këtij komisioni kaloi pa ndonjë qendrim të rëndësishëm prej tyre. Në fakt, deri më sot asnjë nga relatorët e kësaj nisme nuk kanë përmendur fjalën “SHBA”. Do të ishte shumë me interesante dhe me vlerë të dinim se cili është qendrimi i SHBA.
Gjasat janë që nëse veprimtaria e komisionit t’i afrohet sado pak territorit të SPAK, ambasada amerikane do të reagojë. Nuk është çudi që komisioni të marrë goditje të forta të tipit thirrje në komision të prokurorëve të SPAK për t’i vënë ata nën presion. Por duket se prova e fortë e këtij komisioni do të jetë sfida që do të ketë me SHBA. Dhe gjasat janë që këtu të nisë dhe shpallet një luftë mes kësaj mazhorance dhe diplomacisë amerikane.
Atëherë nuk do të ketë më vlerë as sovraniteti politik e as mësimet e panevojshme amerikane. Vërtetë kjo mazhorancë do të jetë në një provë të fortë, ndoshta më e forta që kur ka ardhur në pushtet.
Së shtati, duket si një perceptim fantastik por një nga dyshimet e punës së tij komsioni do të jetë edhe vendosja nën presion të disa politikanëve, veçanërisht të kundërshtarëvë politikë. Një komision që e shtrin veprimtarinë e vet në kohë duke grumbulluar shumë materiale, do të thotë që do të krijojë në një farë mënyre dosje paralele me SPAK për çështje të caktuara.
Kjo do të sjellë që ky komision të shndërrohet në një SPAK paralel duke vënë në presion politikanë të caktuar. Dhe maxhoranca e ka këtë mundësi, sepse ajo ka në vartësi policinë dhe oficerët gjyqësore të saj mund të grumbullojnë materiale dhe të dhëna për institucione dhe zyrtarë të ndryshëm që i kanë drejtuar ato. Imagjinoni në një moment se ç’mund të ndodhë kur ky komision të ketë mbledhur të dhëna për ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë, për drejtorë dhe ish-drejtorë? E gjitha kjo me qëllimin që korrupsionin kjo mazhorancë ta luftojë vetë.
Së teti, mosvotimi apo votimi kundër dhe më e rëndësishmja mosmarrja pjesë e opozitës në këtë komision e vë në dyshim edhe vetë ekzistencën e këtij komisioni. Nuk mund të ketë një nismë dhe strategji kombëtare të luftës ndaj korrupsionit pa pjesëmarrjen e opozitës.
Sigurisht që kjo opozitë ka mëkatet e veta të mëdha në këtë aspekt. Ajo vazhdon të bojkotojë siç bëri edhe mosmarrjen pjesë në komisionin e reformës territoriale në vitin 2014, me djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Këto ishin autogola me pasoja të rënda në ecurinë e saj.
Dhe vetëm pas disa vitesh lidershipi i demokratëve kuptoi dhe pranoi se ishin të gjitha bojkotet gabime të rënda edhe pse nuk mbajti kush përgjegjësi. Por duket se këtë po e shfrytëzon aq mirë mazhoranca. Duke e ndjerë që PD nuk do të marrë pjesë ajo e bën pronë të vetin të gjithë veprimtarinë e këtij komisioni. Ngriti shpejt e shpejt komisionin dhe mungesa e saj në sytë e ndërkombëtarëve e trajton si një justifikim të pranueshëm të tipit “ç’tu bëjmë atyre”. Por në të njëjtën kohë, kjo është një hile, për të mos thënë kurth që mazhoranca po i bën opozitës.
Së nënti, mazhoranca ende nuk ka një strategji të qartë se çfarë do të bëjë me të gjitha emërimet që ka bërë dhe kjo nuk ka nevojë fare me komisione. Në këto 11 vjet, ne kemi parë emërime nga më të çuditshme dhe që në jo pak raste e kanë ulur reputacionin e saj. Personazhe që publiku i njeh si xhonglerë parash janë emëruar drejtorë të institucioneve qendrore që menaxhojnë buxhete të mëdha. Pikërisht kjo mënyrë sjellje ndaj këtyre personazheve ka kapërcyer çdo cak.
Nuk ka nevojë për komision për një takëm, zyrtarësh, drejtorësh që janë të zhytur në korrupsion dhe që publiku i njeh mirë. Nëse vërtetë kjo mazhorancë e ka seriozisht luftën ndaj korrupsionit ministrat dhe kryeministri sipas hierarkisë duhet t’i shkarkojë këta kampionë të korrupsionit. Rasti i fundit kur zëvendëskryeministrja Balluku zbuloi një grup kriminal në ujësjellësin e Vlorës e konfirmon këtë. Por mirë është që këto grupe me drejtorë të zbulohen në radhë të parë brenda ministrive dhe institucioneve vartëse. Vetëm atëherë do të kuptonim që qeveria e ka seriozisht këtë luftë.
Së dhjeti, një element shumë i rëndësishëm i këtij komisioni është edhe raporti me median. Në pamje të parë duket si një lidhje absurde, por në realitet është një nga çështjet që ngre shumë pikëpyetje. Shikoni mediat dhe gazetarët që e mbështesin apo e kundërshtojnë këtë komision.
Shumë pak merren me thelbin që ky komsion rreket të kontrollojë institucionet e drejtësisë së re, veçanërisht SPAK. Por pyetja e madhe është a do të vendosë në dispozicion të medias të dhëna që do të grumbullojë ky komision. Rrjedhimisht, a do të jetë transparente e gjithë veprimtaria e këtij komisioni? Ka shumë dyshime për këtë.
Veçanërisht për rastet kur i duhet të marrë dhe tërheqë të dhëna nga institucione të ndryshme, përfshi këtu edhe SPAK. Nëse kjo do të ndodhë, qëllimi final i këtij komisioni do të duket edhe më i qartë.