Problemi i madh i dosjeve gjyqësore të pashqyrtuara me vite, është diskutuar dje në Komisionin e Ligjeve në Parlament. Kryetarja e KLGJ-së ngriti shqetësimin se pa infrastrukturë, investim në ambiente dhe burime njerëzore kryesisht gjyqtarë, zgjidhja e këtij fenomeni mbetet thuajse e pamundur.
Numri i dosjeve që presin për gjykim në Shqipëri ka arritur në rreth 114 mijë. Ky numër i lartë është rezultat i vonesave dhe problemeve strukturore brenda sistemit gjyqësor. Kërkesat që vijnë nga drejtusit e gjykatave janë për rritje të numrit të punonjësve si dhe shtimin e buxhetit për këto institucione. Ata kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, dhe përmirësimin e menaxhimit të çështjeve për të përshpejtuar proceset gjyqësore. Këto masa janë të nevojshme për të reduktuar prapambetjet dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë në vend, sipas drejtuesve të gjykatave. Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe Kryetarja e Komisionit të Përhershëm të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit Naureda Llagami e pranishme në Komisonin e Ligjeve tha se nuk ka mbështetje nga pushteti qendror. Sipas saj përmbarëvajtjen e punës duhen financime për të përmirësuar sistemin e drejtësisë. Deputeti i PD-së Saimir Korreshi ka shtruar një sërë problematikash në Komisionin e Ligjeve, ku u fol për sistemin e drejtësisë. Korreshi theksoi se ka në gjykata në Tiranë vendime absurde, të njerëzve që kanë vdekur dhe presin që të marrin vendim për vend pune ose ka çifte të ndara, që ndërkohë që janë në process për ndarjen, njëri nga partnerët ka bërë fëmijë me partnerin e ri. Sipas Korreshit, drejtësia duhet të jetë më e shpejtë që të jetë më efikase. Ndërsa, kryetarja e KLGj, Naureda Llagami, e cila foli për punën 1-vjeçare të institucionit që drejton deklaroi se që sistemi i drejtësisë të përmirësohet, ka nevojë për financim.
Stoku, çështje kombëtare
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ka qujatur stokun e dosjeve që pret të shqyrtohet si njëçështje kombëtare. “Backlog-u është çështje kombëtare”, tha Llagami teksa raportonte para Komisionit të Ligjeve. Sipas saj, sistemi gjyqësor ka nevojë për burime njerëzore dhe para. “Nëse nuk i kemi këto mos pretendoni se gjykatat do të shkojë në uljen e backlog-ut. Nëse ju nuk na mbështesni, nëse ne nuk do të jemi bashkë në këtë sfidë të re… Duhet të jemi të gjithë bashkë për ta luftuar. Nëse nuk kemi mbështetjen e ekzekutivit dhe kuvendit nuk mund të kalojë”, është shprehur ajo. Po ashtu ajo vuri në dukje edhe mungesën e infrastrukturës. Ajo solli shembullin e Gjykatës së Apelit që nuk ka salla gjyqi. “Kemi dy vjet që kërkojmë. E njëjta gjë vlen edhe për gjykatat e tjera në nevojë”, shtoi ajo. Deputetët ndanë shqetësimin se mungesa e vendimeve në çështje civile po i dërgon qytetarët drejt gjykatave penale teksa po zgjidhin me vetëgjyqësi konfliktet e pazgjidhura mes njërit tjetrit nga gjykatat civile duke e sinjalizuar këtë fakt si një diagnozë e një sistemi që po vdes. Ndërsa deputeti Fatmir Xhafaj ja kthyer kritikat me kritikë Kreut të KLGJ-së. “Shqetësuese mbetet vonesa për sistemin e integruar të menaxhimit të çështjeve. Vlerësimin tim për këtë e kam thënë edhe më herët dhe kjo lidhet me paaftësi dhe mungesë bashkëpunimi mes jush dhe institucioneve të tjera. Problem mbetet edhe fokusi i KLGJ tek shpejtësia e gjykimit. Ju sot flisni për vakanca por ka pasur vendime deri në 1 vit vonesë që janë marr nga gjyqtarët. Arsyetimi dhe cilësia e shkrimit të gjyqtarëve është një tjetër problem. Ju flisni për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, por tek back logu i GJykatës së Lartë në 2018 kanë qenë 28 657 çështje, në 2022 kanë qenë 31 827, pra diferenca 3 mijë çështje”, tha Xhafaj.