Pasi SPAK lëshoi 30 urdhra-arresti dhe vuri në pranga dy vëllezërit me lidhje të forta ndërkombëtare ka ardhur edhe reagimi i Europol që e quan një operacion shumë të rëndësishëm pasi janë vënë në pranga persona të nivelit të lartë kriminal
Arrestimet e bëra ditën e mërkurë me urdhër të SPAK,ku pretendohet se kanë kapur kokat e një grupi criminal të strukturuar ka sjellë edhe reagimë nga institucionet jashtë kufinjve shqiptarë. EUROPOL-I ka dalë me një deklaratë ku thotë se dy vëllezërit nga Elbasani kanë rrjet të gjerë që vepron ndërkombëtarisht. Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka dhënë detaje për operacion e zhvilluar dy ditë më parë, për të cili lëshoi 33 urdhërarreste, ndërsa ka ekzekutuar masën e sigurisë për 13 persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen të arrestuar jashtë vendit. Në këto hetime janë dokumentuar me prova vrasje, akte kriminale dhe plane të tjera për ekzekutime personash, mes tyre dhe Nuredin Dumanin, i arrestuar gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe që aktualisht është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë. Sakaq, hetimet kanë zbërthyer aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit nga Elbasanit, Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas SPAK, kjo organizatë është krijuar në 2006 dhe kishte si qëllim eliminimi i kundërshtarëve për të sunduar trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë. Ndërkohë, paratë e përfituara nga kjo veprimtari kriminale investoheshin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Po ashtu gjatë hetimeve është zbuluar se kjo organizatë kriminale ka realizuar grabitjen e armatosur të disa milionë eurove që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë-Vjenë, ndodhur më 9 prill 2019. Në lidhje me këtë, ka reaguar dhe Europol, i cili thotë se është goditur një rrjet me profil të lartë kriminal, i cili merrej me vrasje me pagesë, grabitje dhe pastrim parash në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Reagimi i Europol
Europoli ka reaguar ditën e djeshme pas arrestimeve që u bënë në tre qarqe të rëndësishme të vendit. “Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Europolin dhe organet ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, kanë përfunduar me sukses një operacion të madh, duke arrestuar 15 anëtarë të dyshuar të një grupi famëkeq të krimit të organizuar shqiptar nën hetim në juridiksione të shumta. Përpjekja e koordinuar, e quajtur Operacioni GORGON, kulmoi me një seri bastisjesh të kryera në Tiranë, Shqipëri, më 31 korrik kundër figurave kyçe brenda rrjetit kriminal. Për pasojë u sekuestruan pasuri të konsiderueshme, përfshirë pasuri të paluajtshme dhe 1 milion euro cash”, thuhet në njoftim. Në reagim thuhet se personat e arrestuar dhe të akuzuar janë marrë që nga vrasjet me pagesë deri te pastrimi kompleks i parave. “Ky grup i profilit të lartë shqiptar i krimit të organizuar ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Banda përbëhej kryesisht nga familjarë dhe bashkëpunëtorë nga e njëjta zonë në Shqipëri. Anëtarët e grupit dyshohet se janë përgjegjës për vrasje të shumta me pagesë, trafik në shkallë të gjerë droge dhe pastrim të fitimeve të paligjshme nëpërmjet transaksioneve komplekse të kriptomonedhave. Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik në shkallë të gjerë droge, ndër aktivitete të tjera kriminale”, thuhet në njoftim. Po ashtu thuhet se hetimi zbuloi gjithashtu sesi kreu i këtij grupi të krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan vrasjen e disa anëtarëve të grupeve të tjera kriminale shqiptare duke kontraktuar vrasës. Të paktën shtatë vrasje i janë atribuar këtij grupi specifik kriminal midis viteve 2019 dhe 2020, një numër prej të cilave janë kryer jashtë Shqipërisë.
Hetimet
Në kuadër të punës analizuese të kryer mbi të dhënat e SKY EÇ, Europol zhvilloi inteligjencë të besueshme mbi aktivitetet e kësaj bande. Ky informacion i është dhënë Prokurorisë së Posaçme Shqiptare për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), e cila mori masa të menjëhershme dhe hapi hetimet. Që atëherë, Europol ka ofruar zhvillim dhe analizë të vazhdueshme të inteligjencës në mbështetje të hetimit kombëtar, duke shfrytëzuar ekspertizën e tij gjithëpërfshirëse duke mobilizuar qendrat e tij të ndryshme të specializuara. Gjatë ditës së aksionit, tre ekspertë nga Qendra Evropiane e Krimit të Organizuar të Rënda të Europolit dhe Qendra Evropiane e Krimit Kibernetik u vendosën në Tiranë për të mbështetur autoritetet shqiptare në veprimet e tyre detyruese.