Rreth 800 ton mbetje të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tailandës do të kthehen sërish në vendin tonë. Si autoritetet dështuan të identifikojnë mbetjet e rrezikshme dhe pasojat që mund të sjellin në ndotjen e ambientit. Regon ashpër opozita dhe kërkon nisjen e hetimeve nga SPAK.
Rreth 800 ton mbetje të rrezikshme rrezikon që të rikthehen përsëri në Portin e Durrësit, vend nga të cilat u nisën. Tashmë Tajlanda ka vendosur rikthimin e tyre në vendin e origjinës pasi konstatoi se në 100 kontenierë të deklaruara si “lëndë e parë të përbërësit të hekurit” kishte mbetje të rrezikshme toksike dhe për pasojë u mor vendimi të kthehen pas. Mbetjet kanë dalë nga kompania “Kurum” që vepron në Elbasan, por dyshohet se nuk i kanë deklaruar ngarkesën e mbetjeve autoriteteve doganore në Durrës dhe dhe Ministrisë së Mjedisit. Institucionet shtetërore në vend paraqitën denocim në prokurori për këtë rast, por situate bëhet e vështirë pasi asnjë shtet dhe port nuk pranon të depozitojë këto mbetje. Në një reagim në rrjetet sociale deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me një nismë për rikthimin e importit të mbetjeve në vendin tonë. Me anë të një shënimi në Facebook, Tabaku thotë se po tentojnë të kthejnë vendin tonë në një kosh mbetjesh. Tabaku thotë se ‘teksa shpenzimet për instalacionet e korrupsionit në Tiranë, Fier dhe Elbasan rriten vit pas viti, qeveria ka kthyer sërish vëmendjen drejt menaxhimit të mbetjeve’. Ajo thekson se Shqipëria merr nga Evropa shembujt me të këqij, ndërsa shtron pyetjen se “cili incenerator do t’i djegë mbetjet e importuara?”. “Vjedhja vazhdon pa turp, me tre kontrata që rëndojnë mbi qytetarët. Cili incenerator do t’i djegë këto mbetje? Apo plani real është kthimi i vendit tonë në kosh plehrash, pasi tashmë jemi bërë lavatriçja e parave të pista dhe korrupsionit? Ne jemi ajo që bëjmë! Një qeveri që pretendon të ndjekë politikat e BE-së për qeset plastike në supermarkete, por që pastaj mbyll sytë dhe promovon incenerimin, është një qeveri hipokrite. Një qeveri që rreh gjoksin për turizmin, ndërkohë që e kthen vendin tonë në koshin e mbetjeve të Europës, nuk është qeveria e shqiptarëve—është qeveria e mbetjeve”, shkruan Jorida Tabaku. Po ashtu mjaft i ashpër qe qëndrimi i kreut të PD-së Sali Berisha I cili akuzoi edhe kreun e SPAK sit ë lidhur me kryeministrin Rama pasi sipas tij nuk guxon që të nisë hetimet për këtë askandal. Berisha e quan Altin Dumanin mercenar, ndërsa shkruan se këtij grupi të strukturuar kriminal, siç e quan ai SPAK-un, nuk i lejohet të hetojë asnjë çështje të lidhur me ministra dhe Edi Ramën pa miratimin e këtij të fundit. “Për mercenarin Dumani çdo krim që lidhet me Ramën është krim intelektual dhe nuk mund të sqarohet! Të dashur miq, mbarë opinioni publik është i tronditur nga lajmet e trafikut qeveritar të lëndëve toksike nga Shqipëria. Por kjo nuk është e vërtetë për mercenar Dumanin dhe “Skrapin” e Partisë vetëm e vetëm se këtij grupi të strukturuar kriminal nuk i lejohet të hetojë asnjë çështje të lidhur me ministra dhe Edi Ramën pa miratimin e këtij të fundit. Heshtja para këtij krimi të rëndë kombëtar dhe ndërkombëtar për të cilin ligjet e vendit bëjnë përgjegjës direkt tre ministra është një akt-akuzë e rëndë e bashkëpunimit të “Skrapit” me qëndrimet antiligjore në krime të rënda. Trafiku ilegal i mbetjeve të rrezikshme është para së gjithash përgjegjësi: Së pari, për Ministrinë e Mjedisit mbasi ligji nuk lejon asnjë eksport mbetjesh të çfarëdolloj pa autorizimin e Ministrit të Mjedisit. Së dyti, Ministrinë e Financave mbasi doganat me ligje janë të detyruara të verifikojnë të gjithë procedurën dhe rregullat e eksportit të një malli përfshirë këtu edhe vërtetimin e vendit që e pret mallin. Së treti, Ministria e Energjetikës Industrisë që ka në vartësi edhe prodhuesit e mbetjeve dhe autoritetin portual të vendit. Përveç veprës së rëndë penale mjedisore dhe trafiku ilegal lëndësh toksike, për të cilën ka përgjegjësi direkte ligjore dhe Shërbimi Informativ në rast se nuk ka njoftuar, kemi të bëjmë me një veprimtari kriminale të përsëritur të organizuar nga një organizatë kriminale me shumë pjesëmarrës qeveritarë dhe jo qeveritarë, por mercenar Dumani dhe “skrapi i partisë” nuk mund të hetojnë pa urdhër të Edi Ramës”, shkruan Berisha.