Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke. Sipas asaj që Top Channel bën me dije tre shqiptarët, ku një prej tyre rezulton të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë arrestuar nga policia në kuadër të një operacioni anti-drogë të zhvilluar në ishullin e Mykonos.
Në prangat e policisë ranë Spiro Lila, 30 vjeç dhe Roland Allka, 33 vjeç, të dy nga Gramshi si dhe Euglend Dumi, 36 vjeç, nga Vaqarri i Tiranës. Lila rezulton person i shpallur në kërkim nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal me bazë në Sarandë, të goditur në maj 2019 nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, që kryente trafik ndërkombëtar droge.
Ky grup kriminal, merreshin me tregtimin e kokainës, kokaine rozë, marijuanë dhe tableta droge në zonën e Mykonosit.
Ata ishin pozicionuar në tre banesa me qira, ngjitur me njëra-tjetrën, ku dhe mbanin sasinë e lëndës narkotike. Më pas ata e shpërndanin drogën me automjet privat ose me motoçikletë.
Nga kontrollet e kryera, me ndihmën e një qeni policie dhe u gjetën dhe u sekuestruan 932.22-gram kokainë, 7 gram kokainë rozë, 899 gram marijuanë, 1.4 gram metamfetaminë kristalore, 93 tableta narkotike, 5.060 euro, 1 pistoletë, 10 fishekë, 1 thikë, 1 automjet, 1 motor, 3 peshore elektronike precize dhe 4 telefona celularë.
Siç ka rezultuar, përfitimi i paligjshëm financiar i pritur i grupit nga shitja e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon shumën prej 100.000 euro.
Sasitë e drogës së sekuestruar do të dërgohen për ekzaminim laboratorik, ndërsa shuma e sekuestruar e parave do të dërgohet në Zyrën e Depozitave dhe Kredive të Zyrës Tatimore të Mykonos./e.t