Nga Francesca Basso “Corriere Della Sera”
Çfarë do të thotë të shtypësh para? Por mbi të gjitha, çdo të thotë të jesh pjesë e eurozonës? Që ta dyja konceptet, kanë lidhje për ata që kanë nostalgji për liretën, dhe që argumentojnë se ishte më mirë që Italia të kishte hyrë në eurozonë pa kufizime në borxhe, dhe jo si tani që i duhet të respektojë kufizimet e Traktatit të Mastrihtit (defiçiti nën 3 për qind, dhe borxhi publik nën 60 për qind).
A ka të drejtë kreu i Lega, Mateo Salvini, që shpresonte që “ato para të shtypeshin”? Çfarë do të ndodhte? Aktualisht, për shkak të krizës së madhe ekonomike të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, Brukseli e ka pezulluar Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes.
Për pasojë, vendet e eurozonës mund të marrin borxhe pa kufizime. Por a është vërtet kështu? Në Itali, ndarja midis Ministrisë së Thesarit dhe Bankës së Italisë daton që nga viti 1981:që atëherë Bankitalia, nuk ka arritur të financojë më borxhin italian duke shtypur para.
Pra, për një kohë të gjatë para hyrjes në eurozonë (1 janar 1999 në tregjet financiare, ndërkohë më 1 janarit 2002, euro nisi të përdorej nga qytetarët). Në rrethanat aktuale, Italia tani mund të hyjë në borxhe të pafundme, sepse Pakti i Stabilitetit është pezulluar. Por problemi është se duhet ta bëjë këtë gjë në tregjet financiare.
Dhe për të marrë para hua, do të duhet të paguajë interesat që korrespondojnë me besimin që investitorët kanë tek aftësia paguese e Italisë. Sa më e lartë shifra e borxhit, aq më i madh është mosbesimi i investitorëve dhe kostoja e interesit për Italinë.
Për më tepër, Italia tashmë ka një borxh që është rreth 130 për qind e PBB-së së saj, më i larti në eurozonë pas atij grek. Nëse Italia do të shtypte vetë para, nuk do të merrte para nga tregjet financiare. Për më tepër nuk mund ta bëjë këtë këtë, sepse është Banka Qendrore Evropiane ajo që vendos politikën monetare dhe ka statusin e një institucioni të pavarur nga shtetet anëtare, si dhe nga organet drejtuese të Bashkimit Evropian.
Objektivi kryesor i tij, është stabiliteti i çmimeve (mbajtja e inflacionit të ulët, afër 2 përqindëshit). Financimi monetar i defiçiteve është i ndaluar në eurozonë, prandaj BQE nuk mund të blejë letra me vlerë në tregjet kryesore.
Gjithsesi, si gjatë krizës së borxhit të vazhdueshëm edhe në këtë emergjncë financiare, BQE
ka vënë në zbatim lehtësimin sasior, një mekanizëm jokonvencional i politikave monetare, që parashikon blerje masive të letrave me vlerë publike në tregun dytësor.
Por, nëse një qeveri ka kontroll mbi bankën qendrore, dhe ndikim të fortë mbi të, ajo mund të vendosë t’i mbulojë nevojat e saj, duke shitur letrat me vlerë në bankën qendrore, si dhe t’i kërkojë asaj të shtypë para për të financuar blerjet, dhe në këtë mënyrë nuk do t’i duhet të paguajë interesat.
Por nëse është kaq e thjeshtë, pse një shtet nuk e bën këtë gjë? Pse nuk e bëjnë diçka të tillë Britania e Madhe, Zvicra apo Shtetet e Bashkuara? Problemi është se pasja e një politikë monetare, në vartësi të nevojave të financave publike është e rrezikshme.
Paraja e marrë borxh, kërcënon të minojë vlerën e monedhës në vetvete, prandaj rrezikon të prodhojë një rritje të inflacionit. Kjo është ajo që ndodhi në Itali:midis viteve 1973-1984, ku inflacioni nuk ra kurrë nën 10 për qind, duke kaluar mbi mesataren e vendeve të industrializuara. Për pasojë, fuqia blerëse e familjeve, punëtorëve, pensionistëve, por edhe të sipërmarrësve që duhet të blinin lëndën e pare, fillimisht jashtë shtetit ishte shumë e rrezikuar. Inflacioni i lartë prek të gjithë qytetarët dhe veçanërisht kategoritë më të dobëta, dhe në fakt është një taksë.
Efektet e mbulimit të borxhit, nuk japin rezultate të menjëhershme, kjo mund të jetë zgjidhja më e shpejtë në planin afatshkurtër për të zgjidhur problemet e një vendi, por në planin aftgjatë është kundërproduktive, sepse rrit inflacionin dhe dobëson financat publike.
Aq më tepër për një vend, që e ka borxhin shumë të lartë. Nëse në teori, mbulimi i borxhit për një kohë të shkurtër mund të ketë avantazhet e veta, në planin afatgjatë nuk mund të jetë kështu.Ata që propozojnë këtë zgjidhje tani, e lidhin këtë me daljen nga eurozona.
Tashmë ka filluar të dëgjohet zëri i atyre, që thonë se është më mirë të largohemi nga Evropa, por pa shpjeguar se çfarë do të thotë kjo, pa sqaruar çfarë do të thotë “Italexit”, dhe çfarë do të thotë për një vend si i yni të largohet nga Bashkimi Evropian, dhe ta luajë vetëm lojën e globalizmit.
Shumica duket se nuk e kujtojnë, sa poshtë kishte rënë lireta, në raport me monedhat e tjera. Të jesh pjesë e unionit, do të thotë të kesh akses të subvencionuar në një treg potencial me 500 milionë njerëz.
Euro është një monedhë e fortë, dhe ta braktisësh do të thotë që fuqia blerëse të përgjysmohet më shumë se kurrë. Shtresat më të dobëta të popullsisë, do të ishin më të prekurat. Dhe hapësira manovruese e shtetit nuk do të jepte përfitimet e premtuara.
Tani, kjo krizë duhet përdorur për të përmirësuar Bashkimin Evropian, në mënyrë që ai të hedhë një hap cilësor përpara. Kjo është ajo që Italia, Franca, Spanja dhe Portugalia po përpiqen të bëjnë së bashku me vendet e tjera, duke kundërshtuar vizionin e Gjermanisë, Hollandës dhe vendeve të Evropës Veriore, duke kërkuar zgjidhje të përbashkëta financimi (eurobonde) për të përballuar emergjencën e krijuar për shkak të pandemië së koronavirusit, të vetëdijshme se kjo është një krizë që prek të gjitha vendet. /S.T/ arkiva.fjala.al/