Koronavirusi ka shënuar mijëra të vdekur në të gjithë botën. Situata duket shumë e vështirë dhe në Ekuador ku morgët janë të mbushur plot me viktima.
Familja e një viktime të koronavirusit janë të tmerruar pasi ata po qëndrojnë prej ditësh të izoluar me trupin e dekompozuar prej ditësh të burrit.
Gruaja ka postuar një video në rrjetet sociale , ku i lutet autoriteteve të marrin trupin e burrit të saj nga shtëpia.
“Mos e lini të shtrirë këtu,” lutet ajo në pamje teksa fëmijët rrinë në dysheme prapa saj.
Shumë familje të tjera në këtë vend janë detyruar të mbajnë kufomat e familjarëve në shtëpitë e tyre.Disa i kanë djegur trupat e viktimave në rrugë, e disa të tjerë i kanë mbështjellë ata me plastikë dhe i kanë lënë nëpër trotuare.
Video e zonjës Orellana e regjistruar në shtëpinë e saj në Guayaquil, është shikuar mijëra herë: “I kërkoj autoriteteve ndihmë për heqjen e trupit të burrit tim. Më kanë thënë të pres por çdo gjë është shembur. Ju kërkoj ndihmë që burri im të ketë pak dinjitet, mos e lini të shtrirë këtu. Sa duhet të pres?” pyet ajo.
Ndërkohë në Ekuador numërohen 3,163 të infektuar dhe 120 të vdekur por besohet se shifra është më e lartë nga ajo që është raportuar.