Rubrika: “Shkrimtari në karantinë”
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Kliton Nesturi për “Fjala”
Nga Leonard Veizi
Skeptik deri në detaj ndaj absurdit ku na ka futur “lufta me armikun e padukshëm”. I pamësuar me ndrydhjen e lirisë dhe diktimin e një jete të re në kushte “kafazi”, ai gjen hapësirë për t’u rebeluar e thënë ca gjëra “tullë”, aq sa shumëkush nuk do të guxonte t’i thoshte publikisht, por vetëm me shfryrje dufi në tryeza kafenesh. Duke vënë kufirin ndarës me krijimtarinë mediokre, ai shprehet se realitetit “flakë për flakë” i përgjigjen vetëm shkrimtarët po aq mediokër, të cilët mendojnë të përfitojnë nga situata e “luftës” për të shkruar një tjetër “kryevepër”, ku plagjiatura shfaqet që në krye të herës në formën e okelios së shumëpërfolur: “Dashuri në kohën e koronavirusit”. Për më tepër, shkrimtari Kliton Nesturi, poet e dramaturg gjithashtu, në një intervistë ekskluzive për “Fjala” thotë:

-Si po i kaloni ditët në karantinën e stimuluar prej “Covid-19”?
Edhe gjatë kësaj periudhe, në ditë të ndryshme, më është dashur që të shkoj në punë, dhe njëkohësisht punoj online. Pavarësisht se nuk po prodhoj këto ditë emisione, puna jonë vazhdon, komform masave të detyrueshme për t’u zbatuar. Por nuk është e njëjta gjë si më parë. Më mungojnë përditëshmëria, realizimi i emisioneve, takimet me miqtë e ngushtë dhe kolegët me të cilët kalojmë më shumë kohë, me të afërmit, shëtitjet. Megjithatë, përpiqem që mbaj kontakte me ta nëpërmjet telefonit.
-A është frymëzuese për ju një situatë e tillë e pazakontë?
Një situatë ku të privohet liria e daljes, natyrisht që nuk është frymëzuese. Kudo mbizotëron një klimë ankthi dhe terrori. Për të shmangur zhurmën mediatike dhe dhunën që ushtron interneti në lidhje me situatën e koronavirusit, përpiqem të ruaj ritmin tim, duke punuar, duke parë filma apo dëgjuar muzikë.
-A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruhet më shumë për të dhe rreth saj?
Gjatë kësaj kohe kam dëgjuar shumë legjenda për shkrimtarë të ndryshëm, të cilët kanë shkruar veprat e tyre në kushte karantine. Por, po të njohim proçesin e krijimit, shkrimi por edhe arti janë proçese organike individuale, rezultat i një akomulimi të brendshëm që ndodh brenda shpirtit krijues prej kohësh. Pikëtakimi me kohën e të shkruarit apo krijuarit është thjesht një çast i shpërthimit të furtunës krijuese. Megjithatë, mendoj se pavarësisht kësaj, ndiej se pas përfundimit të kësaj situate do të shpërthejnë librat me poezi apo prozë, ku të jetë edhe tema e koronavirusit apo karantinës. Ndoshta dikush tani po shkruan edhe një roman me titull “Dashuri në kohën e koronavirusit”. Nuk duhet të na habisë kjo. Ne shqiptarët, shpesh plagjiaturën e kemi në gjak.
-Mendoni se do shtrihet gjerësisht në rrethet e shkrimtarëve një gjë e tillë?
Mendoj se kjo do të ndodhë tek krijuesit mediokër, ata që krijojnë ende të ndikuar nga motoja “flakë për flakë me realitetin”, të cilët më shumë se të përçojnë art dhe vlera do të përpiqen të abuzojnë me këtë situatë aksidentale, ndërsa për sa u përket autorëve të vërtetë ata do ta shmangin me finesë këtë. Letërsia dhe arti i vërtetë shtrihen dhe zhvillohen përtej situatave epidemike apo të luftës.
-A mund të kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?
Vlerë? Jam skeptik për këtë. Unë uroj që kur të përfundoj kjo situatë, ne shqiptarët, të mos dalim më agresivë dhe më të babëzitur se ç’jemi. Ne nuk jemi as gjermanë, as francezë dhe as italianë, të cilët gjithnjë reflektojnë sidomos në situatat e vështira nëpër të cilat kalon historia, si ato të luftës, të epidemive, apo krizave ekonomike. Pas çdo lufte botërore ne jemi ndërsyer ndaj njëri-tjetrit. Edhe pas vitit ‘90 ndodhi pak a shumë njëjta gjë; si asnjëherë më parë u krijua një përçarje e thellë në të majtë e të djathë, në veri dhe jug, e të tjera. Edhe në 1997 morëm armët dhe ia drejtuam njëri-tjetrit. Këto fakte më bëjnë të ndihem sot skeptik. Gjenetika e një kombi drejt perspektivës emancipuese ndërron shumë ngadalë.
-Kush është primare në ditë të tilla, leximi apo krijimtaria?
Të dyja janë primare. Në ditë të caktuara shkruaj dhe në ditë të tjera më ndodh të lexoj. Kjo periudhë është një sfidë dhe më së shumti leximi është një shtysë drejt refleksioneve.
Intervistoi: Leonard Veizi/Fjala/
