Kryeinspektorja për shëndetin në Tiranë Areti Beruka ka theksuar se ishte diçka pozitive që koronavirusi preku edhe Shqipërinë. Madje, ajo tha se duhet të preket rreth 60 për qind e popullsisë.
Duke tentuar të sqarojë deklaratën e saj të parë, ku theksoi se mezi priste të shihte rastin e parë me Covid-19 në Shqipëri, Beruka lëshoi një deklaratë edhe më të fortë duke thënë se është mirë që ta zërë koronavirusi pasi krijon atë që quhet “mbrojtje e tufës”.
“Shprehja është hequr nga konteksti. Kur thashë pres që të vijë rasti i parë, është mirë që çdo popullatë të kapet nga viruset për të krijuar atë që quhet “mbrojtjen e tufës” në imunologji. Virusi është si vaksinë natyrale, që në rast se nuk kap 60% të popullsisë, kjo popullatë është e pambrojtur. Hyrja e virusit nuk do vizë, nuk varet nga unë dhe nga askush. Këtë kam pasur parasysh kur e kam thënë si mjeke. Mbrojtja që krijon, bën që kur të rikthehet virusi në vjeshtë, forca e tij do të jetë më e ulët pikërisht nga imuniteti që ka krijuar 60% e popullatës”, deklaroi Beruka për A2C-CNN.
Kjo nuk është deklarata e parë kontroverse që bën drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor. Në shkurtin e këtij viti ajo u shpreh se mezi priste të shihte rastin e parë me koronavirus në Shqipëri.
“Ndoshta me profesionin por edhe me karakterin. Por ta them personale, jo profesionale mezi e pres rastin e parë në fakt, unë si mjek. Mjekësia nuk bëhet me fall filxhani por me statistika, me të dhëna dhe me menaxhim. Na jepni shansin dhe mundësinë të menaxhojmë ashtu siç po e e menaxhojmë dhe fakti i skepticizmit është ky që po përpiqemi që të sqarojmë njerëzit për të kuptuar atë që duhet të besojnë,”– u shpreh mjekja në atë kohë.
Me sa duket dëshira e saj u plotësua dhe në Shqipëri numërohen deri më tani rreth 333 të prekur nga koronavirusi dhe 18 të vdekur ndërsa vendi është izoluar i gjithi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.