Shqipëria ndodhet në javën e katërt të izolimit për shkak të luftës me koronavirusin. 383 njerëz ka infektuar COVID-19 në vendin tonë, por aktualisht 230 prej tyre janë ende duke përballuar sëmundjen, pasi pjesa tjetër është shëruar. Ndërkohë që numri i vdekjeve është 22.
Në statistikat e paraqitura dje nga Ministria e Shëndetësisë u vu re një detaj shumë motivues, fakti që u regjistruan vetëm 6 raste të reja me koronavirus. Grafikët tregojnë se, në katër ditët e fundit ka patur një rritje të numrit të testeve dhe ulje të numrit të të infektuarve. Me këtë kuptohet se kurba e infektimeve është në rënie të vazhdueshme.
Shqipëria e arriti pikun e infektimeve më 3, 4 dhe 5 prill kur u regjistruan 27, 29 dhe 28 raste të reja të infektimit, por në dy ditët e fundit numri ka ardhur në rënie duke shënuar 16 dhe 6 raste të reja në ditë.
Të dhënat që do të japë sot në mesditë Ministria e Shëndetësisë pritet të tregojnë nëse Shqipëria është apo jo drejt fitores së luftës me koronavirusin. Nëse numri i infektimeve gjatë ditës së sotme, por edhe deri në fundjavë, vijon të jetë i përafërt me atë të regjistruar dje (6 raste) atëherë situata tregon se po shkon drejt normalizimit.
Gjithsesi, edhe nëse konfirmohet një numër i vogël infektimesh, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë me të njëjtin seriozitet masat e izolimit dhe distancimit social për të shmangur një rikthim agresiv të virusit.
-4 javë në izolim, por kurba e infeksioneve në Shqipëri nuk po bie

