Qyteti ku ‘shpërtheu’ fillimisht koronavirusi, Wuhani e hoqi karantinën pas 11 javësh të vështira duke u përballur me pandeminë që ka gjunjëzuar botën.
Në këtë qytet nuk ka pasur më as vdekje dhe as të infektuat. Teksa po lënë izolimin banorët e qytetit kanë ndarë eksperiencën e tyre.
“Uroj që njerëzit të mund të nxjerrin mësime nga Wuhani, që të tjerët të mos sakrifikojnë kaq shumë”, thotë një vajzë. Një tjetër mendon se karantina ishte gjëja më e mirë që autoritetet lokale bënë për të frenuar sëmundjen.
“Kushdo që qëndron brenda, jep kontributin e tij në luftën kundër virusit”, shprehet ajo. “ Në fillim e morëm shumë lehtë situatën, dhe izolimi nuk na u duk i nevojshëm. Por pastaj nisën problemet.
Filloi mungesa e ushqimeve, frika ekstreme e paniku e nuk flija dot natën”; “Mjekët luteshin online për pajisje. Nuk kishte shtretër për pacientët”, janë dëshmitë e tjera. Banoret rrëfyen më tej vështirësitë që hasën për të siguruar ushqim gjatë asaj periudhe, e thonë se ajo që po ndodh në pjesë të tjera të botës është shumë e ngjashme me eksperiencën e tyre në fund të janarit e në fillim të shkurtit.
“Nëse ndiheni në ankth, të zemëruar, të lodhur mendërisht, kjo është normale. Por duhet ta kuptoni se izolimi, edhe pse ju privon lirinë, është një mënyrë shkencore për të luftuar një sëmundje ngjitëse, në mënyrë që lirinë ta rifitoni sa më shpejt pas kësaj që të jetë e mundur”, shprehen ata.