Gjigandi i aviacionit ndërkombëtar “Fly Emirates”, ka nisur të praktikojë testet 10-minutëshe të gjakut mbi koronavirusin, për pasagjerët që nisen nga Dubai, duke pretentuar se ai është i pari i këtij lloji që përdoret në këtë sektor.
Linja ajrore, rifilloi fluturimet e kufizuara të pasagjerëve në fillim të këtij muaji, teksa Emiratet e Bashkuara Arabe, pezulluan të gjithë avionët tregtarë. Fluturimet janë të hapura për shtetasit e huaj që dëshirojnë të largohen nga vendi, por ndërkohë nuk lejohet të hyjë në vend asnjë pasagjer nga jashtë.
“Pasagjerët në fluturimin e sotëm për në Tunizi, u testuan të gjithë për Covid-19, para se të niseshin nga Dubai”- tha kompania ajrore përmes një deklarate. “Emirates, është kompania e parë ajrore që kryen testime të shpejta në vend mbi Covid-19 për pasagjerët”-theksohet më tej.
Testet e gjakut u kryen nga Autoriteti Shëndetësor i Dubait në zonën e kontrollit, teksa rezultatet dalin brenda 10 minutash.
“Ne po punojmë që të rrisim aftësitë e testimit në të ardhmen, dhe ta shtrijmë atë në fluturime të tjera. Kjo do të na japë mundësi të kryejmë testime në vend, dhe të sigurojmë një konfirmim të menjëhershëm mbi pasagjerët nga Emiratet që udhëtojnë drejt vendeve që kërkojnë certifikata sigurie se nuk janë prekur nga Covid-19”.
“Fly Emirates”, kompania më e madhe ajrore në Lindjen e Mesme, ka deklaruar gjithashtu se pastrimi dhe dezinfektimi i aeroplanëve do të kryhet në Dubai pas çdo fluturimi. Emiratet e Bashkuara Arabe, që përfshijnë 7 emirate, përfshirë atë të Dubait, ka identifikuar thuajse 5.000 raste me koronavirus, dhe 28 të vdekur.
Ajo ka imponuar një bllokadë gjithëpërfshirëse, përfshirë ndalimin e fluturimit dhe mbylljen e kufijve, qendrave tregtare, atyre të argëtimit dhe tregjet. Një izolim 2-javor u vendos në Dubai që prej 4 prillit, pas një rritjeje të madhe të numrit të rasteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jetojnë rreth 10 milionë njerëz, 90 për qind e tyre emigrantë.
S.T