Rastet me koronavirus në të gjithë botën kanë kapërcyer shifrën 2 milionë, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e gjerë të Covid-19. Ndërsa rreth 487 mijë njerëz janë shëruar tashmë nga sëmundja, për 130 mijë të tjerë prekja nga virusi ka rezultuar fatale.
Virusi ka efekte shumë të ndryshme tek njerëzit e ndryshëm. Por ja cilët janë 5 faktorët kryesorë që sjellin komplikime ekstreme, edhe që u marrin jetën të sëmurëve me Covid-19.
- Mosha
Studimet kanë treguar se njerëzit mbi moshën 70 vjeç rrezikojnë më shumë të vdesin nga COVID-19. Studiuesit në Vuhan, qyteti ku filloi pandemia, analizuan 191 pacientë me koronavirus në dy spitale. Analiza tregoi se ekziston një lidhje mes moshës dhe rrezikut të vdekjes, pa lënë mënjanë edhe sëmundjet kronike.
- Gjinia
Javën e kaluar, të dhëna të reja zbuluan se burrat kanë më shumë gjasa të vdesin nga koronovirusi sesa gratë. Edhe pse arsyeja për këtë fakt mbetet e paqartë. Në Itali, burrat përbëjnë 53 për qind të rasteve të prekura, por edhe 68 për qind të numrit të të vdekurve. Edhe në Greqi, numri i rasteve që lidhen me popullatën mashkullore është 55 përqind, ndërsa burrat përbëjnë 72 përqind të vdekjeve. Disa shkencëtarë mendojnë se shkalla e lartë e vdekshmërisë tek burrat, vjen si pasojë e faktit se ata e marrin pandeminë më pak seriozisht sesa gratë. Diana Sarrosi, drejtore e politikave dhe fushatave për “Oxfam Canada” thotë: ”Gratë janë shumë të shqetësuara mbi atë që shohin për sa i përket ndikimeve afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj pandemie. Ndaj ato mobilizohen të parat.
- Sëmundjet kronike
Njerëzit me sëmundje kronike, janë gjithashtu më të rrezikuar të vdesin nga koronavirusi. Kjo përfshin njerëzit me sëmundje kronike të mushkërive, astma e moderuar deri e rëndë, sëmundjet e zemrës, diabeti, sëmundje të mëlçisë dhe veshkave.
Profesor Fan Çung, ekspert në mjekësinë e frymëmarrjes në Kolegjin Mbretëror të Londrës, shprehet: “Është një infeksion i ri. Por nga përvoja jonë në trajtimin e epidemive të gripit, ne e dimë se njerëzit me sëmundje të ndryshme do të përkeqësohen.”
- Obeziteti
Njerëzit që janë mbipeshë kanë rrezik të shtuar për të vdekur nga koronavirusi. Muajin e kaluar, një kontroll i Shërbimit Shendetësorë Kombëtarë në Britani zbuloi se pothuajse dy të tretat e pacientëve që sëmuren rëndë nga koronavirusi janë mbipeshë. Sipas auditimit, 63 për qind e pacientëve që i janë nënshtruar kujdesit intensiv të prekur nga koronavirusi në spitalet e Mbretërië së Bashkuar janë mbipeshë, obez ose me sëmundje të obezitetit. Të njëjtën gjë pohon edhe, profesori Jean-François Delfraissy, shef i epidemiologjisë në Francë, se personat që janë mbipeshë janë në rrezik më të madh. Ai tha se “Ky virus është i tmerrshëm, mund të godasë të rinjtë, në veçanti të rinjtë e obez. Ata që janë mbipeshë duhet të jenë të kujdesshëm në mënyrë të veçantë. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar për miqtë tanë në Amerikë, ku problemi i mbipeshes është i njohur dhe persona të tillë mund të kenë më shumë probleme për shkak të mbipeshes.”
- Kompromentim i sistemit imunitar
Njerëzit që kanë një sitem imunokompromentues, të tillë që tregon se sistemi i tyre imunitar nuk është aq i fortë dhe i ekuilibruar sa duhet, kanë rrezik më të lartë vdekshmërie. Mund të ndikojnë shumë faktorë që një person të jetë imuno-kompromentues.
Këtu përfshihen trajtimet ndaj kancerit, pirja e duhanit, ndërhyrjet në palcën kurrizore ose transplantimi i organeve, mangësi imune, kontrollet e pakta ndaj HIV/AIDS, dhe përdorimi i zgjatur i ilaçeve që dobësojnë sistemin imunitar.
Duke shkruar në “The Conversation” , Sara Xhons dhe Fabien Vinsent, studiues nga Monash University, shpjeguan: “Dukeqenëse njerëzit me sistem të imunokompromentuar e kanë sistemin imunitarë të dëmtuar apo joefektiv, nuk janë në gjendje të ndalojnë përhapjen dhe shumimin e faktorëve të jashtëm, përfshirë virusin SARS-CoV-2 , i cili shkakton COVID-19. “Një sistem imunitarë që nuk funksionon i bën njerëzit të preken më lehtë nga infeksioni, por simptomat e rënda te disa njerëz shkaktohen nga një reagim i menjëhershëm i sistemit imunitar që përfshin të gjithë trupin.”
S.T