Qyteti i Vuhanit në Kinë, epiqendra e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, ka thënë se e ka rishikuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve, duke e çuar në 1.290. Sipas kanalit shtetëror të lajmeve ÇTV, Vuhani korrigjoi gjithashtu edhe rastet e konfirmuara me plus 325.
Zyrtarët në Vuhan, thonë se rishikimi i numrit të viktimave nga Covid-19, tashmë në 3.869, dhe i rasteve të reja, ka ndodhur për shkak të raportimeve të gabuara. Por ky ndryshim, vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump e akuzoi drejtpërdrejti Kinën se ka gënjyer për numrin e viktimave nga Covid-19, përpara se të niste një hetim, nëse virusi doli apo jo nga një laborator virologjie në Vuhan.
Gjenerali Mark Millej, kryetar i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit në ushtrinë amerikane, tha të martën se të dhënat e inteligjencës amerikane tregojnë se Covid-19, ka të ngjarë të jetë shfaqur natyrshëm, dhe të mos jetë prodhuar enkas në ndonjë laborator.
Megjithatë televizioni amerikan “Fox News” raportoi të mërkurën, se virusi ka dale pikërisht nga një laborator virologjie në Vuhan, por theksoi se ajo nuk ishte krijuar si një armë biologjike.
Përkundrazi, rrjeti amerikan i lajmeve, pretendon se koronavirusi i ri ishte pjesë e përpjekjeve
të Kinës për të treguar se është po aq e aftë, në mos edhe më shumë se SHBA-ja, në identifikimin dhe luftimin e viruseve të ndryshme.
Ky raport por edhe të tjerët, kanë sugjeruar se origjina e Covid-19 është laboratori i virologjisë në Vuhan. Ata pretendojnë se standardet e dobëta të sigurisë atje, shkaktuan infektimin e një punonjësi. Më pas virus u shfaq në një treg aty pranë, dhe prej andej nisi të përhapej me shpejtësi.
Këto të dhëna, e kanë nxitur Donald Trumpin të autorizojë nisjen e një hetimi nga ana e Shtëpisë së Bardhë. Në fillim të këtij muaji, Uashingtoni e akuzoi Pekinin se po fsheh numrin real të qytetarëve të saj që kanë humbur jetën nga virusi, apo dhe numrin e atyre që janë infektuar prej Covid-19.
Një raport i Shtëpisë së Bardhë, arrin në përfundimin se shifrat zyrtare të dhëna nga Kina janë
të rreme, teksa dëshmitë e shumë e banorëve vendas, sugjerojnë se numri i të vdekurve në Vuhan ishte afro 42.000.
Presidenti amerikan, e preku sërish këtë çështje të mërkurën gjatë një konference për mediat në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet se përse SHBA-ja ka 24 për qind të vdekjeve në total nga koronavirusi, ndonëse ka vetëm 4 për qind të popullsisë së botës.
“A mendoni ju se po merrni të dhëna të vërteta nga disa prej atyre vendeve? A i besoni vërtet të dhënave nga një vend aq i madh sa Kina? A e beson dikush vërtet këtë? Raportimi ynë është real, dhe ne po raportojmë çdo vdekje. Kemi më shumë viktima, pasi po bëjmë më shumë raportime”- deklaroi ai./S.T/