Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi kanë zhvilluar nderimet për 5 majin, në varrezat e Dëshmorëve së bashku në orën 10:00.
Të distancuar nga njëri tjetri, Rama, Meta e Ruçi kanë vendosur kurora me lule, në nder të dëshmorëve që kanë rënë për të mbrojtur vendin.
Pjesëmarrja e personave të tjerë në këto nderime ka qenë shumë e pakët, në mënyrë që të evitoheshin grumbullimet për shkak të koronavirusit.
Pas ceremonisë në një prononcim për mediat, Meta tha se s’duhet të bëhemi mendjelehtë e të na marrin lirinë.
“Kjo është dita e dëshmorëve, e heronjve, e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë. Ata na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që mos të bëhemi mendjelehtë dhe të na marrin lirinë dhe pavarësinë
Nuk mund të mos respektoja prezencën tuaj sot në këtë 5 maj krejt të veçantë si asnjë herë tjetër, për shkak të pandemisë dhe kufizimeve. Kjo na ka bërë të pamundur që të shkëmbejmë nga afër përshëndetje me familjet e dëshmoreve, me veteranët. I përshëndes prej këtu, ku prehen figura të shquar të luftës nacional çlirimtare. Kjo është dita për Atdheun, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, Kjo është ditë që të ftohemi në sakrificën sublime dhe mos të bëhemi mendje lehtë. Kjo është dita e dëshmorëve, e heronjve, e martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që mos të bëhemi mendjelehtë dhe te marrim lirinë dhe pavarësinë si të dhëna përgjithmonë.”,- u shpreh Presidenti.
Ndërsa pak më parë në varrezat e Dëshmorëve ka qenë për nderime edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha./arkiva.fjala.al/
