Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua sot me drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit, ku përfaqësohen rreth 93 mijë të punësuar në këtë sektor të goditur rëndë nga pandemia.
Enver Mehmeti, Presidenti i shoqatës, Zak Topuzi, Kryetar i Sektorit të Hoteleve dhe Sokol Hoxha, Kryetar i Sektorit te Agjensive Turistike, i shprehën shqetësimet e tyre kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
“Standardet e reja që po vendosen nga qeveria kanë një kosto shtesë të konsiderueshme, për të cilat nuk është dhënë asnjë ndihmë financiare.”– theksuan përfaqësuesit e shoqatës së turizmit. Ata vunë në dukje se mungesa e një plani nga qeveria për kohën e hapjes së sezonit e vështirëson akoma më shumë gjendjen.
“Gjetja e një formule mbijetese është ajo çfarë vlen më shumë tani për turizmin”– thanë përfaqësuesit e shoqatës, duke vënë në dukje se ky sektor u godit 2 herë brenda pak muajve, fillimisht nga tërmeti më nëntor dhe tani nga pandemia, kur janë anuluar të gjitha prenotimet.
Përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit i thanë kreut të opozitës se kërkesat për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit janë të shumta, por më kryesoret kanë të bëjnë me:
1.Ndihmën financiare, me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.
2.Subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
3.Sigurimin e likuiditetit përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.
4.Anullimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht, si në kohë “paqeje”.
5.Bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos me fqinjët, për rakordimin e politikave dhe hapjen e mundësive për turizëm.
Në lidhje me kërkesat, Basha i tha punonjësve të sektorit të turizmit dhe përfaqësueseve të tyre se do të sigurohej që zëri i tyre të dëgjohej, pasi turizmi është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë.