Në muajin prill 2020 paraja në qarkullim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 5,7 miliardë lekë. Vetëm në tetë ditë qarkullimi i parasë cash është rritur me 6,4 miliardë lekë. Të dhënat janë bërë të ditura në raportin “Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë ndaj COVID-19.“
“Deri në datën 23.4.2020 paraja në qarkullim është rritur me 6,4 miliardë lekë krahasuar me 31.3.2020 dhe me 9,6 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2019. Në muajin prill 2020 paraja në qarkullim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 5,7 miliardë lekë dhe nga fillimi i vitit është rritur me 9,4 miliardë lekë” – thuhet në raport.
Ndërkohë për plotësim të nevojave në perspektivë për para fizike, Banka e Shqipërisë po ndjek me prioritet procedurat për prodhimin e kartëmonedhave të serisë së re, prerjet 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, të cilat do të hidhen në qarkullim brenda këtij viti. Banka e Shqipërisë, në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit, ka vijuar procesin e përpunimit të parasë fizike në kushte të rritura higjiene dhe ambalazhimi në temperaturë të lartë. Procesi i përpunimit është i gjatë dhe merr kohë, çka vështirëson mbijetesën e virusit për një kohë të gjatë, ndërkohë që kartëmonedhat dhe monedhat rikthehen në qarkullim.
“Banka e Shqipërisë ka riorganizuar procesin e përpunimit të cash-it, duke e shtyrë në kohë për të minimizuar mbijetesën e virusit në kartëmonedhat e pranuara nga bankat tregtare. Megjithatë, ne rekomandojmë rritjen e higjienës personale gjatë përdorimit të kartëmonedhave, njësoj siç është përcaktuar në udhëzimet publike të shpërndara nga qeveria shqiptare” – thuhet në njoftim.
Politika monetare
Për të lehtësuar pasojat e pandemisë Banka e Shqipërisë ka marrë disa masa në fushën e politikës monetare që synojnë reduktimin e kostos së huamarrjes dhe financimin e vazhdueshëm të ekonomisë me kredi bankare. Plotësimi i këtyre parakushteve i hap rrugë respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm e të gjatë. Vendimi i parë ishte ulja e normës bazë të interesit nga 1,0% në 0,5%. Më pas u vendos ulja e normës së interesit të kredisë njëditore, nga 1,9% në 0,9% dhe u vendos gjithashtu të mbahet e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0,1%.
Ristrukturimi i kredive
Banka e Shqipërisë vendosi riskedulimin e kësteve të kredisë. Banka e Shqipërisë u ka krijuar lehtësi bankave dhe subjekteve financiare jobanka për të shtyrë me 3 muaj pagesat e kësteve të kredive për klientët e tyre, për shkak të gjendjes së rënduar financiare të krijuar nga pandemia COVID-19. Kështu, bazuar Urdhrin e guvernatorit dhe kryeministrit, bankat dhe institucionet e tjera financiare të sipërpërmendura mund të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete ose me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, meqenëse mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve dhe është jashtë kontrollit të tyre.
Komisionet
Banka e Shqipërisë ka vendosur heqjen përkohësisht të komisioneve të aplikuara nga bankat për transfertat e kreditit në lekë në formë joletër nga klientët e tyre, si dhe të tarifave për pjesëmarrësit në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH të përdorura nga Banka e Shqipërisë, duke filluar nga data 10 prill 2020. Ky vendim ka për qëllim mbështetjen e klientëve të bankave për vijimin e kryerjes së pagesave të tyre në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe gjithashtu mimimizimit të rreziqeve nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave. Më konkretisht, ky vendim synon ta bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve bankare në distancë nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi.arkiva.fjala.al/