Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci, në një intervistë për National Geographic theksoi se nuk ka prova se koronavirusi i ri të jetë prodhuar në laboratorët e Kinës.
Sipas Faucit, provat shkencore tregojnë se koronavirusi e ka origjinën nga kafshët e egra dhe jo laboratorët kinezë.
“Nëse ju shikoni evolucionin e virusit te lakuriqët tregon qartë se nuk mund të manipulohen artificialisht ose me qëllim … Nëse shikojmë procesin e evolucionit hap pas hapi me kalimin e kohës, kjo tregon se ky virus ka evoluar në natyrë dhe me pas kaloi te njerëzit”, tha ai për National Geographic.
Teoricienët e teorive konspiracioniste e kanë lidhur shpërthimin me Institutin e Virologjisë në Wuhan, i cili kryen studime të nivelit të lartë me patogjenë të rrezikshëm, pasi ndodhet rreth afër tregut të Wuhanit, shkruan Business Insider.
Raporte të ndryshme gjatë disa javëve të fundit kanë treguar se qeveri të ndryshme në të gjithë botën, përfshirë ato në SH.B.A-së, kanë hedhur hipotezën dhe akuza se koronavirusi mund të ketë rrjedhur aksidentalisht nga laboratorët e Kinës ku po kryheshin edhe studime.
Laboratori ka mohuar çdo rol në përhapjen e koronavirusit të ri, dhe provat për të mbështetur teorinë nuk janë bërë kurrë publike.
Por edhe pse disa qeveri e kanë lënë pas këtë hipotezë, Donald Trump vazhdon ta mbrojë këtë teori. Gjithashtu, edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pretendon se SHBA ka “prova” që virusi ta ketë origjinën nga laboratorët e Kinës./Përshtati nga Business Insider për arkiva.fjala.al/, B.Quku/