Në pritje për të marrë lejen e zhvillimit të futbollit, federata gjermane duhet të përballet me rastet në rritje te vetë klubet elitare.
Në Bundesliga vazhdojnë teste dhe tamponat për lojtarët dhe stafin, por së fundmi dalin në dritë dy raste të reja me Covid-19, te Borussia Moenchengladbach.
Skuadra elitare bën të ditur se mes të infektuarve nga pandemia është një futbollist dhe një anëtar stafi, por nuk ka bërë të ditur detaje.
Gazeta Rheinische Post nënvizon se të dy janë futur në karantinë, por kanë dhënë një sinjal negativ te “Zonja e Hekurt” për rinisjen e futbollit. Angela Merkel vazhdon të jetë skeptike për të luajtur ekipet e futbollit, edhe pse Gjermania ka kapacitete të mjaftueshme, për teste dhe shtretër në spitale.
Rasteve të reja me Covid-19, te Borussia Moenchengladbach, i shtohet dhe një tjetër problem te Aue Erzgebirge, skuadra e Bundesligës së Dytë që ka në gjirin e saj, një anëtar stafi me coronavirus, i zbuluar këtë të martë.
Si rrjedhojë, të gjithë futbollistë dhe stafi janë futur në izolim, në pritje të testeve dhe tamponave.