Mësuesit janë shtylla kryesore e formimit për çdo profesion. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i arsimit, Ardi Stefa, i cili thekson se rritja e pagave të mësuesve me 15% është e pamjaftueshme dhe se ky vendim do të reflektojë një rritje me rreth 50 mijë lekë të vjetër në pagën neto. Sipas tij, ky vendim nuk do të zbatohet apo implementohet ndonjëherë, teksa thekson se sistemi arsimor ndodhet shumë larg standardeve evropiane.
Nga Ina Allkanjari
Prej datës 1 janar 2020 pagat e mësuesve do të rriten me 15%, një vendim ky i marrë disa ditë më parë dhe i konsideruar si i pamjaftueshëm nga shumë figura në vend, të cilat deklarojnë se ndodhemi shumë larg standardeve evropiane. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i arsimit, Ardi Stefa, shprehet se rritja e pagave të mësuesve me 15% është e pamjaftueshme dhe se ky vendim do të reflektojë një rritje me rreth 50 mijë lekë të vjetër në pagën neto të mësuesve. Stefa thekson se rritja e pagës së mjekëve me 40% është e padrejtë krahasuar me pagat e mësuesve, të cilët i konsideron si shtylla kryesore e formimit për çdo profesion. Më tej ai ndalet te vendimi për shtimin e numrit të mësuesve, duke e konsideruar të pamjaftueshëm numrin e përcaktuar, pasi, sipas tij, për një sistem arsimor cilësor duhet të rritej numri i mësuesve me 3 deri në 5 mijë në të gjithë Shqipërinë. Stefa nënvizon se mbetet problem fakti se pas përfundimit të pandemisë këta mësues mund të dalin nga sistemi arsimor, pasi kontratat e tyre janë provizore. “Duhet theksuar që këta mësues janë me kontrata provizore, dhe në fund të vitit mund të dalin nga sistemi, pra këtyre mësuesve nuk u garantohet asnjë gjë. Çfarë do të ndodhë më tej me këta mësues, ky është një problem”, shprehet eksperti i arsimit. Ndërsa ndodhemi rreth një muaj pas rifillimit të mësimit për nxënësit e sistemit arsimor parauniversitar, Stefa tregon se procesi mësimor ka mangësira, kjo pasi, sipas tij, 30 minuta janë të pamjaftueshme për një mësim cilësor. Eksperti shprehet se ky vit do të ketë deficite shumë të mëdha në arsim dhe në formimin shkencor të nxënësve, dhe pasojat do të reflektohen në dekadën e ardhshme.
Si e shihni vendimin e qeverisë lidhur me rritjen e pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar me 15%?
Vendimi duhet të kishte ardhur më përpara. Unë e konsideroj si një truk electoral, në një kohë që ekonomia jonë është pothuajse e rrënuar dhe besoj se buxheti i shtetit e ka të vështirë që ta përballojë. Gjithashtu, më duket paksa e padrejtë rritja me 40% e pagës së mjekëve në një kohë kur ata që i mësojnë bluzat e bardha dhe që janë edukatorët apo mësuesit e tyre, marrin një rritje prej 15% të pagës bruto, e cila do të konvertohet në rreth 50 mijë lekë të vjetër rritje, në pagën neto të mësuesve. Kjo rritje page nuk i mbyll plagët e arsimit, Gjithsesi, duhet parashikuar që pagat e mësuesve të jenë të larta dhe të kapin standardet evropiane, jo vetëm për shkak të vështirësisë që kanë ata, por edhe për shkak të përgatitjes së brezit të ri. Nga ana tjetër, më duket paska e padrejtë e gjithë kjo, pasi në një moment të caktuar koronavirusi do të përfundojë. A justifikohet rritja e pagës 40%, që do të shkojë gati 1 milion e 400 mijë lekë të vjetër mjekëve, në një kohë që shumica e mjekëve marrin fitime edhe nga klinikat e tyre private. Mua më duket një rritje e padrejtë dhe mendoj se është një truk electoral, që mendoj se nuk do të zbatohet apo implementohet ndonjëherë. Qeveria, përpara se të vendosë një rritje të pagave, duhet të shmangë edhe një lloj evazioni fiskal që bëhet në sektorin e arsimit privat, ku të tjera paga deklarohen dhe të tjera paga merren. Arsimi privat mësuesët i paguan me dy bordero, me atë që deklaron, që është paga minimale dhe pjesën tjetër e marrin të padeklaruar. Qeveria duhet të vërë dorë edhe në këtë pjesë të arsimit privat. Pasi këta mësues deklarohen me rroga sanitari.
Në krahasim me standardet evropiane, si paraqitet situata e mësuesve në Shqipëri, për sa u përket pagave?
Ne jemi shumë larg standardeve evropiane, pagesat janë shumë të ulëta, shumë qesharake. Ne jemi shumë larg, madje edhe standardeve të Kosovës. Mësuesit e shkollave të mesme në Kosovë marrin më shumë se mësuesit e shkollave të mesme në Shqipëri. Pra, në Kosovë kjo kategori mësuesish merr rreth 50-60 euro më shumë. Shumë gjëra çedojnë në këtë vendim, pasi me fillimin e shkollës në këtë situatë pandemie nuk u ofrua një fond për rritjen e numrit të mësuesve, ndërkohë del vendimi për rritjen e pagave të mësuesve ekzistues.
Sa i nevojshëm ishte vendimi për rritjen e numrit të mësuesve në këtë situatë pandemie?
Tashmë, rreth një muaj pas fillimit të shkollës, janë marrë 1 mijë mësues të rinj, por çfarë do të ndodhë me këta 1 mijë mësues pas përfundimit të pandemisë. Normalisht ishte i domosdoshëm, por duhet të shtohet nga 3 deri në 5 mijë mësues për të gjithë Shqipërinë. Me një mijë mësues, është një shifër e cila nuk i mbulon nevojat që ka arsimi shqiptar që të bëhet një arsim cilësor. Ndërkohë duhet theksuar që këta mësues janë me kontrata provizore, dhe në fund të vitit mund të dalin nga sistemi, pra këtyre mësuesve nuk u garantohet asnjë gjë. Çfarë do të ndodhë më tej me këta mësues, ky mbetet një problem.
Kur ka kaluar rreth një muaj nga hapja e shkollave të sistemit parauniversitar, çfarë mendimi ndani për procesin mësimor, a janë të mjaftueshme orët 30 minutëshe për nxënësit?
Për sa i përket procesit mësimor, zhvillimi i mësimit me 30 minuta është krejtësisht insuficient, është një mësim i cili ka nuk ka në qendër nxënësin, por mësuesin. Në 30 minuta është e pamundur të kontrollohen njohuritë, dhe të shpjegohet mësimi. Pa diskutim e gjithë kjo periudhë do reflektojë pasoja te fëmijët. Ky është një vit që do të ketë deficite shumë të mëdha në arsim dhe në formimin shkencor të nxënësve. Do të jenë pasoja që do të reflektohen në dekadën e ardhshme. Është krijuar një mangësi që në vitin që lamë pas dhe po vazhdon të thellohet, pavarësisht përkushtimit dhe dëshirës së mësuesve. Kjo pasi është e pamundur që të jetë një proces mësimor normal, ndaj do të lërë pasoja në formimin shkencor të nxënësve. Me një zhvillim mësimi që është i cunguar, me orë 30-minutëshe, me mësim me turne, me program të reduktuar, me një ngatërrim temash, edhe këtë vit do të kemi deficite. Ndërkohë, për sa i përket sigursë në shkolla dhe qarkullimit të virusit, mendoj se situata është e qëndrueshme, nuk ka raste që shkollat të konsiderohen si vatra infeksioni, natyrisht do të ketë një shtim të rasteve, por nuk mendoj të jenë në atë masë që të rrezikohet mbyllja e shkollave.
Rritja e pagave të sistemit arsimor
-Paga mesatare bruto e mësuesve (9-vjeçare)
Është 65800 bëhet 72100, rritja 6300 lekë
-Paga mesatare bruto e mësuesve (shkollë e mesme)
Është 68800 bëhet 75550, rritja 6750 lekë./Bl.Ba/Fjala.al