Puna për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese sa vjen e bëhet më e vështirë. Edhe pse ndërkombëtarët kërkojnë që ajo të jetë gati brenda vitit, duket se do të jetë një proces mjaft i vështirë. Momentalisht gjykata ka 4 anëtarë, ndërsa për 2 vakanca vijojnë kandidimet në Kuvend dhe në Presidencë.
Nga Elvis Myrta
Ringritja e Gjykatës Kushtetuese duket se po bëhet më e vështirë sesa dukej. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 vite kur gjykata më e rëndësishme në vend doli jashtë funksionit, drita në fund të tunelit ende nuk po duket, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për plotësimin e vendeve vakante të kësaj gjykate. Edhe pse janë duke u bërë përpjekje maksimale që kërkesat e ndërkombëtarëve të plotësohen që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda këtij viti, duket se do të jetë e pamundur. Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit në vitin 2015.
Aktualisht, institucioni më i lartë i drejtësisë ka 4 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë në kushte normale. Mbledhja e javës së kaluar e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e vendit vakant të presidentit, mund të quhet me plot gojën dështim, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nuk mundi ta plotësonte vakancën e presidentit. KED-ja u dha karton të kuq katër prej gjashtë kandidatëve që synonin të ishin pjesë e “gardianit të kushtetutshmërisë”. Ata kishin aplikuar për vendin e mbetur bosh, pas shkarkimit nga vetting-u të gjyqtarit Besnik Muçi.
Në përfundim të mbledhjes KED-ja vendosi të skualifikonte kandidatët Sergjio Mazreku, Sinan Tafaj, Shaqir Hasanaj dhe Zhaklina Peti. Sipas anëtarëve të Këshillit, ata nuk plotësonin një apo disa nga kushtet ligjore të nevojshme për kandidim në Kushtetuese. Ndërsa për dy kandidatët e tjerë, Sonila Bejtja dhe Eugen Papandile, KED-ja do të vendosë në mbledhjen e radhës, e cila u zhvillua dje. Sot pritet që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të dalë me një deklaratë zyrtare, nëse janë kualifikuar apo jo dy kandidatët e lartpërmendur.
Ky është vetëm filtri i parë i kandidatëve për në Kushtetuese. Në rast të lejimit të kandidimit, ata i nënshtrohen filtrimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, intervistimit dhe pikëzimit. Në mbledhjet e kaluara, KED-ja ka skualifikuar 2 kandidatë të tjerë për të njëjtin vend të lirë, ndërsa i ka dhënë dritë jeshile vetëm kandidati, Altin Binajt. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 4 anëtarë nga 9, ndërkohë që një prej tyre, Vitore Tusha, është në detyrë përtej mandatit të saj kushtetues.
Ngërçi
Problemi kryesor që duket se do ta bëjë edhe këtë raund të vështirë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, është mungesa e kandidatëve. Për këtë arsye vendi rrezikon që edhe këtë vit ta mbyllë pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Nga vështrimi i bërë listave të kandidatëve për 3 vendet, ato përsëriten, të njëjtët kandidatë kanë shprehur interes për të dy apo edhe tri vende vakante, ndërsa një pjesë e tyre janë përjashtuar më herët në garat e KED-së.
Ngritja e Kushtetueses është kërkuar dhe kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët, por ata do të duhet të presin ngritjen e Gjykatës së Lartë, për një Kushtetuese të plotësuar me 9 anëtarë. Tre anëtarët e fundit duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, që aktualisht është me 3 anëtarë dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të tjerë është duke marrë kohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Duket se ringritja e dy gjykatave më të larta në vend, manifeston kaosin që shkakton mungesa e tyre, ndërsa proceset gjyqësore që presin të trajtohen në këto gjykata janë të shumta.
Gjashtë anëtarë në Kushtetuese do të ishin të mjaftueshëm për marrjen në shqyrtim të ankimeve dhe dosjeve të nxehta. Ndërkohë, për shkak të nevojës së plotësimit me gjyqtarë dhe rikthimit në funksion të Gjykatës Kushtetuese, ditët e fundit kanë reaguar të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, duke u bërë thirrje publike të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të kandidojnë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.
KLP-ja inkurajon prokurorët të kandidojnë
Pas skualifikimit të katër kandidatëve që kishin aplikuar për t’u bërë anëtarë të Gjykatës, Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ishte institucioni i parë që reagoi duke u bërë thirrje të gjithë prokurorëve që i plotësojnë kriteret, të aplikojnë. KLP-ja doli me një deklaratë ku fton prokurorët që kanë kaluar vetting-un të aplikojnë për dy vakanca në Kushtetuese, të shpallura nga presidenti dhe Kuvendi.
Përmes deklaratës, anëtarët e KLP-së i garantojnë prokurorët se, sipas ligjit, nëse zgjidhen dhe ushtrojnë funksionin e gjyqtarit në Kushtetuese, në përfundim të mandatit Këshilli i riemëron ata në sistem në një pozicion karriere. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në vend dhe, sidomos, ecurinë e reformës në drejtësi, nisur nga: Shpallja e dy vendeve vakante për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese nga presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi; Roli kryesor që Gjykata Kushtetuese luan në garantimin e parimeve të ndarjes së pushteteve, ekuilibrin e pushteteve dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë; Rekomandimet e Komisionit të Venecies në Opinionin e tij nr. 978/2020, i cili e konsideron si të një rëndësie jetike për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë në fund ftoi të gjithë prokurorët që kanë kaluar vetingun dhe plotësojnë kriteret të aplikojnë për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese.
“Inkurajon prokurorët të cilët përmbushin kriteret për emërimin si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, duke u konfirmuar në detyrë, të aplikojnë për të ushtruar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej në njoftim.
SHBA-ja dhe KLGJ-ja thirrje gjyqtarëve për të aplikuar
Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në prioritetin jo vetëm të institucioneve vendase, por edhe të ndërkombëtarëve. Për funksionimin e kësaj gjykate janë përgjegjëse 3 institucione, Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë, ku secili nga këto duhet të emërojë nga 3 anëtarë. Dy ditë më parë ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka përgëzuar punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në mbështetje të sigurisë dhe karrierës së gjykatësve të cilët kanë kaluar vetingun dhe do të aplikojnë në dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një postimi në twitter, ambasadorja amerikane, shprehet se kjo do të nxisë më shumë gjykatës që t’i përgjigjen thirrjes së detyrës. “Shumë mirë që KLGJ (pas KLP) po vepron për të mbështetur sigurinë e karrierës për gjykatësit që kanë kaluar vetingun, të cilët do të aplikojnë në dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ne shpresojmë se kjo do të nxisë më shumë gjykatës që t’i përgjigjen thirrjes së detyrës. Shqipëria ka nevojë për ju”, u shpreh ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investuar maksimalisht për ngritjen e kësaj gjykate, duke mbajtur larg edhe ndikimet politike. Por përveç kësaj, tashmë është angazhuar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndonëse nuk është në tagrin e saj, edhe KLGJ-ja përmes një njoftimi të shpërndarë në media, u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese për vendet vakante që janë shpallur nga Presidenca.
“Këshilli, duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, inkurajon gjyqtarët me integritet dhe cilësi të larta etiko-profesionale të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Kuvendi dhe presidenti i Republikës”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së. Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte institucioni i dytë që reagoi për vakancat e krijuara në Kushtetuese.
Pak ditë më parë ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë ai që u bëri thirrje prokurorëve që kanë kaluar vetingun të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj gjykate. Po ashtu, KLGJ-ja thekson se do të vijojë komunikimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, duke i propozuar ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore, që do të garantojë të gjitha aspektet e statusit të magjistratit.
Si doli jashtë funksionit Gjykatës Kushtetuese
Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E konceptuar si gjykata më e rëndësishme në një vend, pasi vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve apo dekreteve, funksionimi i saj është një gur themeli për funksionimin e demokracisë. Por që prej vitit 2015 Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk ka mundësi të marrë vendime, pasi nuk janë plotësuar vendet e anëtarëve të saj. Problemi u shfaq me fillimin e reformës në drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan.
Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati. Në prill të vitit 2016 gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati dhe ai u tërhoq, edhe pse mund të qëndronte deri në zëvendësimin e tij. Tërheqja e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut. Po ashtu, anëtari tjetër, Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”. Imeraj tentoi t’i shpëtonte procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori.
Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Vetingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin. Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konfirmua nga vetingu dhe vijon detyrën, edhe pse i ka mbaruar mandati./Bl.Ba/Fjala.al