Kreu i socialistëve jep arritjet e qeverisë, sulmon Bashën dhe Metën. Premtimet për tri aeroporte të reja në vend dhe analiza e punës shtatëvjeçare, sipas kreut të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama mblodhi dje Asamblenë Kombëtare, para socialistëve që e pritën me duartrokitje, ndërsa në fjalimin e tij kreu i qeverisë u zotua se me investimet që do të bëhen në muajt në vazhdim, para zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Socialsite do të marrë mandatin e tretë qeverisës. Sipas kreut të qeverisë, Partia Socialiste do të mundë të qeverisë sërish e vetme, pas zgjdhjeve të përgjithshme. Kryesocialisti Rama renditi disa arritje nga qeveria e tij, për të treguar se me rilindjen mund të ndryshojë Shqipëria dhe vuri theksin se vetë forca politike që drejton siguron një sistem të drejtë drejtësie. “Kush do drejtësinë në këtë vend nesër, duhet të mbështesë sot pa ekuivok Partinë Socialiste. Mos më dëgjoni mua, mafton të dëgjoni Ilir Metën, Saliun, Monikën, Lulin, edhe pse ky bën çfarë i thonë, për të kuptuar që me ne në krye ka shumë vështirësi, por nesër do të ketë drejtësi, me këta në krye do të ketë shumë vështirësi, por kurrë drejtësi”, u shpreh Rama. Ndaj kreu i socialistëve kërkoi edhe një mandat të tretë, sepse vetëm PS-ja mundet. “Neve na duhet një mandat i tretë jo për vete, por për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të kalojë nga ecja në vrapim. Vetëm PS-ja mund ta bëjë këtë. Ne nuk jemi e keqja e vogël, ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare”.
Për ikjen e shqiptarëve
Rama nuk fajësoi veten dhe qeverinë e tij për largimin e shqiptarëve drejt vendeve evropiane dhe më tej. Ai tha se trendy i ikjes do të vijojë edhe me një 10-vjeçar tjetër, edhe nëse në pushtet vjen Lulzim Basha dhe Ilir Meta. “A është kjo një tendencë shqiptare apo rajonale e të gjitha vendeve komuniste? Ka qytete të tëra të vdekura nga Lituania në Bullgari, qytete fantazëm. Cila është zgjidhja? A është ardhja e Lulit dhe Saliut, Monikës e Ilirit një magnet që mund t’i thithë shqiptarët në Shqipëri? Kush mund ta besojë. Është e argumentuar dhe konkluduar se edhe një dekadë tjetër trendi do të jetë ky. Më shumë do të ikin, sesa do të vijnë”, u shpreh Rama.
Rama për opozitën
Kryeministri Rama është ndalur te sulmi që po i bëhet nga Partia Demokratike dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “U përballëm me agresione skandaloze nga një opozitë që doli nga mendtë fare, por më pas edhe nga Parlamenti. Dhe pastaj me dy goditje shumë të rënda, dhe ne kemi provuar se bëjmë atë që nuk e bën dot askush. Ua paguam ne paratë njerëzve të përmbytur në Shkodër. Kanë bërë tenderë rrugësh më shumë se të gjitha qeveritë e Ballkanit. Një rrugë të vetme që kanë bërë është Rruga e Kombit, por dhe atë po e mbarojmë ne. Cilën rrugë bënë këta?”, u shpreh Rama.
Rindërtimi i pallateve
Për sa i takon ngjarjes së 26 nëntorit, kur qindra ndërtime patën lëkundje në qëndrueshmëri, Rama tha se tani do të fillojë kantieri i ri i pallateve në Durrës, qyteti i cili pati më shumë dëme materiale. “Ne nuk po rrimë, kemi që në 27 nëntor të vitit të shkuar, nuk po rrimë duarkryq për rindërtimin e Durrësit. Po si bëhet një lagje e tërë me 2 mijë apartamente, sikur bëhet një koment në fb. Brenda pak muajsh do të hapet kantieri i ri i pallateve. Brenda vitit të ri qindra e mijëra familje që jetojnë në shtëpi individuale do të hyjnë në shtëpi e do ta kenë vitin e ri në shtëpi të re”, u shpreh Rama.
Ngritja e aeroporteve
Kryeministri Edi Rama premtoi përfundimin e tri aeroporteve. Puna do të nisë tani e do të vazhdojë edhe në mandatin e tretë. Madje, ai ironizoi edhe Berishën dhe Bashën se në aeroportin e Kukësit do të vinin kuksianët e Londrës për të votuar Lulzim Bashën. “Unë o do t’i marr, o do t’i ul 120 demokratë nga ata që më shajnë mua rregullisht në aeroportin e Kukësit, o nuk ka. Do të hap konkurs në Fb. Kush ka sharë më bukur, do të shkoj ta marr në Londër, do ta sjell në Kukës. Aeroporti I Vlorës u pengua nga Covid-i. Javën e ardhshme do të rihapim procesin aty ku është ndërprerë, dhe vitin e ardhshëm, por nuk do të jap datë, se na ikin datat e vlonjatët do të na thonë aeroporti do të ndërtohet në Surrel. Vitin tjetër nisim ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Menjëherë pas mbylljes së garës për Vlorën, do të hapet gara për aeroportin e Sarandës dhe mandati i tretë do të mbyllet me 3 aeroporte. Plus këtij që kemi, bëhen 4 aeroporte”, u zotua kryeministri Rama.