Kryeministri Edi Rama në takimin me Asamblenë e Partisë Socialiste ka kërkuar edhe një mandat të tretë qeverisës, duke premtuar investime, por edhe duke kritikuar kundërshtarët politikë. Ministrat që ishin në “ankth shkarkimi” çlirohen përkohësisht, ndërsa e sigurt është vetëm Kryesia dhe Sekretariati i PS-së. Drejtuesve vendorë Rama u kërkon të jenë më të pranishëm në zgjidhjen e problemeve me komunitetin.
Nga Fernada Cenko
Surpriza që pritej nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ndodhi. Kreu i socialistëve nuk bëri asnjë ndryshim as në qeveri, as në Kryesinë dhe Sekretariatin e partisë që drejton. Ndërkohë që vlonin idetë e ikjes së disa ministrave nga kabineti “Rama 2”. Po ashtu, as në Kryesinë e Partisë Socialiste nuk u bë asnjë ndryshim, edhe pse disa anëtarë nuk kanë qenë aktivë brenda kësaj force politike. Kështu, Rama do të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit me këtë ekip qeverisës dhe, ndonëse nuk ndryshoi asnjë gjë nga ato që priteshin në këtë Asamble, Rama është njeriu i surprizave në momentin e fundit. Ndaj edhe për lëvizje në qeveri është ende në kohë, nëse ka vendosur për t’i bërë. E vetmja “lëvizje e detyruar” ishte ajo e ministres së Arsimit, Besa Shahini, e cila u zëvendësua nga deputetja e Elbasanit, Evis Kushi.
Sipas burimeve të gazetës “Fjala”, disa prej anëtarëve nuk e kuptuan as faktin se përse ishin thirrur, kur pritej që të kishte edhe votim për anëtarët e Kryesisë dhe Sekretariatit. Kryeministri Rama duket se ka bërë disa llogari elektorale, ku pak më shumë se gjashtë muaj para zgjedhjeve ka vendosur të vazhdojë me të njëjtin ekip, kjo edhe për të ruajtur një imazh, pasi lëvizjet në Kryesinë e PS-së, apo në kabinetin qeveritar për publikun do të përktheheshin në një lloj “dështimi”.
Nga ana tjetër, Kryesia dhe Sekretariati u votua me konsensus nga të gjithë anëtarët e pranishëm në Amfiteatër. Vota ishte si në parlament. “A jeni dakord ta lëmë kështu Kryesinë e Sekretariatin edhe për një vit pa ndryshuar?”, pyeti Rama, dhe të gjithë ngritën dorën për të dhënë miratimin “pro”. Por këtë kryeministri dhe kryetari i PS-së e sqaroi para mediave. “Kemi tri punë për të bërë ndër të tjera. Së pari, kemi vazhdimin intensiv të punës së filluar në komunitete dhe vlerësimin e të gjithë anëtarëve të PS-së tri herë.
Një herë e lëmë pak fleksibël. Një herë në janar dhe një herë në shkurt. Vlerësimin për qeverinë, që hapim derën për këdo në Shqipëri apo në emigracion, që mendon se ka arsye për të shprehur interes ndaj skuadrës sonë. Nga ana tjetër, ne kemi një task forcë që funksionon në kohë reale dhe mblidhet një herë në javë. Kryesia faktikisht është gjëja e fundit që më shqetëson në këtë moment”, u shpreh Edi Rama, pas punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Rama apel vendorëve
Ajo që bëri një diferencë në këtë Asamble ishte porosia që kryesocialisti Edi Rama u kishte dhënë kryebashkiakëve. Pa përmendur asnjë emër konkret dhe pa përmendur asnjë fenomen, kryesocialisti u ka kërkuar vendorëve që të investojnë në komunitet. Sipas Ramës, fitorja e zgjedhjeve në 25 prill 2021 do të jetë një votë edhe për punën që bashkitë kanë bërë në komunitet. “Duhet të punoni më fort. Do të jeni përgjegjës për zgjedhjet e vitit 2021”, mësohet të ketë thënë Rama. Pas mbylljes së punimeve të Asamblesë Kombëtare, kryeministri i është përgjigjur interesit të medias. Lidhur me pyetjen se pse Rama merret me presidentin Meta, ai tha: “Është e natyrshme, sepse problemi më i madh i shqiptarëve është Ilir Meta dhe LSI-ja. Ky është problemi i madh për shqiptarët që duhet të zgjidhet”, tha Rama.
Liqeni Artificial kthehet në paradë mode nga socialistët
Liqeni Artifiacial dje mori një tjetër pamje. Nga njerëz të veshur sport dhe me atlete, liqeni u mbush plot me njerëz që mbanin taka të larta dhe kostume, jo pak të shtrenjta. Pra, në një farë mënyre u kthye në një paradë mode. Tek Amfiteatri u mblodh Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Edhe pse ishte në agjendë se do të fillonte në orën 15:30, Asambleja i nisi punimet rreth orës 16:00, sapo kryesocialisti Edi Rama zuri vend në podium. Asambleja u hap me himnin kombëtar dhe menjëherë fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama. Fjalë që zgjati gati dy orë pa asnjë ndërprerje. Ndërsa takimi pa median zgjati as 45 minuta. Gardistët mbajtën të rrethuar Ambfiteatrin dhe u kujdesën që të mos ndodhte asnjë incident as me frekuentuesit e liqenit.
Rama e pranon: Këshillohem nga Nanoja
Pas një fjalimi të gjatë në Asamblenë Kombëtare të PS-së, kryeministri Edi Rama ka dalë sërish para mediave në përfundim të punimeve të kësaj asambleje. I pyetur nga gazetarët për një rikthim të mundshëm të Fatos Nanos në PS, Rama u shpreh se ai është lider historik dhe ç’ka pasur për të dhënë, ia dha PS-së. Sipas Ramës, Nanoja e ndihmon me këshilla. “Fatos Nano s’ka nevojë të kandidojë, është lider historik i PS-së. I ka dhënë çka pasur dhe tani jep me zemërgjerësi eksperiencën e tij me këshilla. Siç do të bëj unë, kur të mos jem më kryetar. Dhe s’ka pse të bëjmë audiencë me lajme të tilla, pa lidhje”, u shpreh Rama./Bl.Ba/Fjala.al