Agim Nesho është një nga diplomatët më të njohur shqiptarë të tranzicionit. Ai ka shërbyer për shumë vite në New York si ambasador në OKB dhe në Washington si ambasador i Shqipërisë në SHBA. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë pjesë shumë aktive e bisedimeve, negociatave dhe lobingut për çështjen e Kosovës. Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU Nesho ndau me publikun momentet më interesante gjatë periudhës që shërbeu në SHBA.
-Gjatë kohës që keni qenë ambasador në SHBA, cila është një situatë apo ngjarje që iu ka mbetur në mendje?
-Ajo që e bëri të diferencuar kohën që shërbeva unë, ishte fat i madh që çështja e Kosovës doli në pah. Dhe ishte interesi i institucioneve amerikane apo edhe të institucioneve të politikës ndërkombëtare që kërkonin të ishin prezent, gjë që e rriti rolin e diplomacisë shqiptare dhe për këtë ne jemi gjithmonë shumë mirënjohës sepse mësuam çfarë është e nevojshme, hoqëm një pjesë të ndrojtjes. Në aspektin diplomatik unë kam pasur shumë miqësi me një nga miqtë më të ngushtë dhe krahun e djathtë të Albright-it, ambasadorin Peter Burleigh. Dhe i ishte një personalitet shumë i madh. Dhe e mbaj mend, një ditë më jep një këshillë: “Shiko, një ambasador i mirë, duhet të krijojë marrëdhënie të rëndësishme sidomos në OKB, edhe me Kinën dhe Rusinë.” Ne kemi atë konceptin e ndarjes, janë reminishenca të komunizmit. Ky ishte një mësim i madh nga një diplomat i madh amerikan.