Rekord infeksionesh dhe viktimash në Itali. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 34,505 raste të reja me Covid, nga 219,884 teste të kryera, si dhe 445 viktima.
Ky është numri më i lartë që prej 2 majit, kur u regjistruan 474 viktima.
“Sot kemi 34,505 raste të reja të infektimit me koronavirus, nuk është një shenjë e mirë, edhe pse tamponët kanë qenë gati 220 mijë (219,884). Të vdekurit janë 445”, deklaroi Gianni Rezza nga Instituti Italian i Shëndetësisë.
Dje infeksionet e reja ishin 30,550 në 212 mijë tamponë të kryer dhe 352 të vdekur. Pacientët në kujdes intensiv u rritën në 2,391 (+99 në 24 orët e fundit).
“Krahasuar me Marsin, sot rastet e koronavirusit shpërndahen në baza kombëtare. I gjithë vendi preket: nëse them ‘e kuqe’ do të thotë qarkullim i lartë i virusit, nëse them ‘portokalli’ është po aq i lartë sepse jemi në një Rt midis 1, 25 dhe 1.5. Ka edhe incidenca të larta edhe në zonat e verdha ku Rt është mbi 1. Incidenca është e lartë në të gjitha rajonet, kurba rritet dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse situata e vështirë është e përgjithësuar”, tha Rezza.
“Një rajon i kuq ose portokalli do të mbetet në këtë gjendje për të paktën dy javë”./Re.Darkiva.fjala.al/