Kombet e Bashkuara kanë përjashtuar kanabis sativan nga lista e substancave të dëmshme, duke i hapur kështu rrugë në përdorimin për qëllime mjekësore dhe heqjen e pengesave të kontrollit ndërkombëtar që ishin të saksionuara në një konventë në vitin 1961.
Komisioni i KB për Drogat Narkotike miratoi një rekomandim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të mërkurën për të hequr kanabis dhe rrëshirë kanabisi nga klasifikimi i tij në Programin IV nën Konventën e vetme të 1961 mbi Drogat Narkotike . Ky emërtim e vendosi kanabisin dhe një prej derivateve të tij në një kategori përkrah heroinës dhe opioideve të tjera.
“Ky është një lajm i mirëpritur për miliona njerëz që përdorin kanabis për qëllime terapeutike dhe pasqyron realitetin e tregut në rritje për produktet medicinale me bazë kanabisin,” thanë një grup i organizatave në një njoftim për shtyp .
“Vendimi i sotëm heq pengesat e kontrollit ndërkombëtar, të imponuara që nga viti 1961 nga Konventa për Substancat Narkotike, në prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore-shkencore”, tha Marco Perduca, i cili punon për Shoqatën Luca Coscioni, aktiv ndërkombëtarisht për të mbrojtur të drejtën për shkencë dhe shëndetësi.
Perduca shtoi se votimi është i rëndësishëm “gjithashtu sepse rekomandimet e OBSH ishin përpiluar në bazë të literaturës shkencore të prodhuar ndër vite, në kushte shumë të vështira”.
“Shkenca më në fund po bëhet një element themelor për azhurnimin e vendimeve globale, të tilla si ato të konventave mbi drogën, jo vetëm në dritën e skenarëve të ndryshuar socialë dhe kulturorë, por edhe në dritën e progresit shkencor”, shtoi Perduca.
Nga 53 shtete, pothuajse të gjithë ata që i përkasin Bashkimit Evropian – me përjashtim të Hungarisë – votuan pro, përfshirë Italinë, duke arritur shumicën. Shumica e vendeve aziatike dhe afrikane në vend të kësaj, e kundërshtuan atë.
Ky ndryshim do të lehtësojë kërkimin shkencor mbi kanabisin, i njohur për përfitimet e tij në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit, sklerozës, epilepsisë, dhimbjes kronike dhe kancerit.