Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha përplasen në distancë mbi programet politike, dy muaj para zgjedhjeve. Taktika elektorale e dy liderëve për të tërhequr elektoratin dhe sa bindëse janë premtimet e tyre.
Nga Fernada Cenko
Kur na ndajnë më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në 25 prill, të vetmet parti që kanë dalë para elektoratit janë dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka dalë me një program të detajuar, por ka ofruar platformën e saj duke u shtrirë në elektorat me idenë se do ketë vijimësi të nismave, ku dy sfidat kryesore janë rindërtimi nga pasojat e tërmetit dhe menaxhimi i pandemisë. Kjo e fundit pretendon se deri në 2030 Shqipëria e ka një program se si do të qeveriset, nëse të majtët do të qëndrojnë në pushtet. Këtë gjë e tha vetë kryeministri Edi Rama. “Por do të jetë një plan pune, një vizion të Shqipërisë 2030, sepse këtë mos e lidhni me mua se nuk është e lidhur me mua, por deri në 2030 Partinë Socialiste do të keni në pushtet që të jeni të qartë, me ose pa mua. Kështu që mos e lidhni me mua”, tha Rama duke pasur parasysh se premtimet janë: rindërtimi, sigurimi i vaksinës, ngritja e aeroporteve, ulja e çmimeve të biletave meqë “Nënë Tereza” kaloi nga dora e kinezëve në dorën e Kastratit. Megjithatë duke goditur taksën e premtuar nga Lulzim Basha, Rama tha se ai që merr më pak do të paguaj më pak dhe ai që merr më shumë do të paguaj më shumë. Por të gjitha këto kanë qenë premtime të bëra më herët. Ndoshta Partia Socialiste do të dalë më vonë edhe këto premtime të bëra para fillimit të fushatës ti mbledh në një program pune se çfarë do të fitojnë shqiptarët deri në vitin 2030 nëse do të votojnë bindshëm Partinë Socialiste, ose nëse Partia Socialiste do të jetë në pushtet nëpërmjet koalicionit. “Programi ynë është i qartë i hapur, i ditur publikisht. Ne i kemi vendosur shtyllat, i kemi vendosur piketat. Në rastin konkret ne do të bëjmë publike një platformë me një program pune, jo program do ulim sigurimet shoqërore do rrisim pensionet se kjo është, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. E dini ju si mund të realizohet kjo? Vetëm nëse e dynd atë qumësht që mbetet me niseshte. Ky është programi që në fakt fyejmë fjalën program po ta quajmë program. Por do të jetë një plan pune, një vizion të Shqipërisë 2030 sepse këtë mos e lidhni me mua se nuk është e lidhur me mua, por deri në 2030 Partinë Socialiste do të keni në pushtet që të jeni të qartë, me ose pa mua. Kështu që mos e lidhni me mua”, tha Rama. Kryeministri ju ka lënë edhe një mesazh votuesve. Sipas tij, elektorati duhet të votojë për karakterin e lidershipit se sa për programet.
Programi i PD
Kryedemokrati Lulzim Basha ka prezantuar pikat kryesore të programit me të cilin synon të qeverisë vendin nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit. PD synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit përmes lehtësimit të klimës së biznesit, që sipas saj mund të gjenerojë 110 mijë vende të reja pune. Programi parashikon rritjen e pagës minimale me 6 mijë lekë mbi normën aktuale, ulje taksash, rritje pensionesh, ulje të çmimit të energjisë dhe karburanteve dhe përkrahje financiare për për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Kryetari i demokratëve sa i takon sisitemit arsimor tha se: Basha e siguron se qeveria do të jetë arbitër, por do të ndërhyjë urgjentisht për praktikat e studentëve. “Paga që ne propozojmë, apo shpërblimi më mirë të themi se nuk është pagë, është 300 mijë lekë të vjetra në muaj për 12 muaj, për 1 në çdo 3 studentë që mbaron studimet në Shqipëri”, tha ai duke renditur të gjitha pikat e programit për arsimin.
Programi i PD për rimëkëmbjen ekonomike
- Do të hapen 110 mijë vende të reja pune përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe thithjen e investime të huaja.
- Rritja e pagës minimale në 36 mijë lekë të reja në muaj, duke krijuar lehtësira për biznesin dhe duke e mbështetur atë.
- Ulje e taksave mbi të ardhurat personale në 9% duke ruajtur fashën ekzistuese mbrojtëse prej 30 mijë lekësh. Taksë 9% e fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milion lekë të reja.
- Ulje e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%.
- Totali i taksave dhe tarifave vendore të bizneseve të vogla dhe të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros.
- Anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër karburanti. Çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë të vjetra më pak sesa ju kushton sot.
- Rritje e pensioneve me dyfishin e inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.
- Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve.
- Mbulim i shpenzimeve arsimore për tarifat arsimore për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
- Programe pas shkollore edukative për fëmijët dhe ushqim në shkollë për orët shtesë. Kështu fëmijët do të jenë të sigurt dhe larg rrugëve.
- Tekste shkollore falas për të gjithë ciklin parauniversitar.
- Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore 3 mijë lekë të reja në muaj për 5 vitet e para të jetës.
- Çdo vit, 5000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim. Qeveria do të paguajë 100% interesat bankare për çdo kredi të marrë për një apartament apo banesë.
- Subvencione për fermerët 100 milionë euro në vit dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore apo blegtorale.
Pikat kryesore të planit të PD-së për arsimin parashkollor:
- Tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës.
- Do ketë një program arsimor modern, përmes të cilit të rinjtë shqiptar që duan një profesion, ta marrin atë gjatë periudhës së arsimit të tyre.
- Çdo i ri deri në 35 vjeç do të ketë kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Education Ëorld Ëide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht!
- Program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugëve.
- Do të rriten me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë.
- Brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, laptop ose kompjuter në shtëpi.
Arsimi i Lartë:
- Garanton pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike.
- Do të rriten pagat me 50%, duke iu garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.
- Do të paguaj plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo student dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe do të financohet 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
- Për studentët e shkëlqyer do të mundësohet studimi në universitetet më të mira të botës.
- Do të paguhet 10 mijë stazhe 12-mujore për studentët më të mirë çdo vit.
- Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike.
- Financim i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë.