Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar një takim ditën e sotme me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Më herët Kurti prezantoi kandidatët për deputetë të Vetëvendosjes, për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Kryeministri i zgjedhur i Kosovës është në ditën e dytë të vizitës në vend, ndërsa ditën e djeshme gjatë përkujtimit të Besëlidhjes së Lezhës, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe figura të tjera rëndësishme politike të rajonit u bënë bashkë në Lezhë.
Sot në ai prezantoi edhe kandidatin e Vetëvendosjes për Tiranën, Boiken Abazi. Vetë Kurti u shrpeh se do të votonte në zgjedhjet e 25 prillit.
“Qendra e ka autonominë e plotë sa i takon veprimeve, qëndrimeve dhe vendimeve. Është e vërtetë që kanë diskutuar edhe me sekretaren tonë organizative në Kosovë, por vendimi merret veçse në Tiranë. Ne mbështesim kandidatët e pavarur sepse ka nevojë për një fushë të qytetarit të pavarur, ti jepet mundësia për të zgjedhur përfaqësuesit e vet. Ne nuk jemi të preokupuar me aleancë në këtë fazë. Qarku i Tiranës duhet të votojë Boiken Abazin. Qarku i Lezhës duhet të votojë për Iljaz shehun. Qarku i Gjirokastrës duhet të votojë për Kreshnik Merxhanin e unë do të vij të votoj më 25 Prill”, tha Kurti.
Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë tha se do të jetë kryeministri që do të ketë marrëdhëniet më të mira me Tiranën zyrtare në Kosovën e pasluftës. Në vizitën që po zhvillon në Shqipëri tha se do të takohet edhe me drejtues shtetërore, por fokus ka kandidatët e LVV-së.
“Do jem kryeministri që do të kem marrëdhëniet më të mira me Tiranën zyrtare që ka pasur ndonjë kryeministër i Kosovës pas luftës. Do të zhvilloj kontakte dhe takime. Do të takoj drejtues shtetëror. Kam një vizitë 3 ditore për 3 qytete për 3 kandidatë”.
Po ashtu Kurti shtoi se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për bashkim pasi janë ndarë në mënyrë jodemokratike.
“Ishim tek vendi ku është varrosur heroi ynë kombëtar dhe ndodhet origjina e bashkimit kombëtar si koncept dhe unë theksova që kemi nevojë për çlirim. Kemi nevojë për bashkim se jemi ndarë në mënyrë jodemokratike e nga të tjerët. Kemi nevojë për përparim sepse kemi ngelur prapa. Jemi si Kosovë dhe Shqipëri vendet më të prapambetura në Europë”, tha Kurti.