Nga Haxhi Isufi
Po ku merr vesh Ti mor Qen se çfarë është Europa?!
Ti mor Qen shet votën për një thes miell apo 30 mije lekë, e don të hysh në Europë!
Ti e ke mendjen të vjedhësh energjinë dhe ujin, e kërkon të hysh në Europë!
Ti ndërton pa leje dhe në tokë të huaj e kërkon të shkosh në Europë!
Ti mor Qen hedh plehrat nga ballkoni dhe të bllokon derën e shtëpisë me makinë e kërkon të hysh në Europë!
Ti mor Qen e bir Qeni shet bab e nan për Partinë dhe kërkon Europën!
Ti rreh dhe e vret gruan e nuk nxjerr nënën plakë për një kafe dhe shan Qeverinë se s’po të fut në Europë!
Ti nuk paguan biletën e autobuzit dhe shkon me lekë në protestë, e kërkon Europën!
Ti pëllet në restorant dhe urinon në mes të qytetit, e don Europën!
Ti, që nuk të jep kuponin tatimor, Ti që ngre muzikën në kupë të qiellit në mes të natës. Ti, që më shumë leh se sa flet, Ti me diplomë fallco, me grua fallco. Ti që merr rryshfet dhe kur dhjet, Ti do shkosh në Europë! Por Ti ke problem për momentin se nuk të vjen era njeri, por Qen.
Dhe Ti mor Qen analist që paguhesh si oturak i Kryetarit të Partisë dhe Ti na bën propogandë për të shkuar në Europë!
Ti mor Qen që numëron zjarret që bien dhe nuk merr një kovë ujë t’i shuash dhe Ti që llomotit për Europën.
Ti që voton hajdutin, kriminelin, injorantin, përdhunuesin, rryshfetxhiun, xhepistin, spiunin, të trashin, sherrxhiun, të paskrupulltin, mashtruesin, debilin me lek, kafshën, prostitutën dhe armikun e vendit tënd Ti, don të hysh në Europë! Çfarë nuk bën Ti! Ti të vjedh çakmakun, byrekun, çorapin, këllëfin e jastëkut, brekët në tel etj, se i ke duart me mastiç, Ti kërkon Europën! Ndaj Ti drejtohesh nga hajdutët, injorantët, të pangopurit dhe të pamëshirshmit, se kështu je vetë Ti. Por ama nuk je vetëm, më ke dhe mua, por unë të paktën nuk ndihem për Europën. Mundohem të ndryshoj vehten, më vonë atë që më drejton…….. dhe pastaj nuk kërkoj Europën, se jemi brenda.