Presidenti çek Milos Zeman është dërguar në spital mes trazirave politike, pas fitores së opozitës në zgjedhjet parlamentare. Ai pritet të drejtojë bisedimet për formimin e një qeverie të re pas votimit të së shtunës.
Drejtori i Spitalit Qendror Ushtarak të Pragës tha se Zeman ishte në kujdes intensiv pas komplikimeve me shëndetin.
“Ne e dimë saktësisht diagnozën, e cila na lejon të kryejmë trajtimin,” tha drejtori Miroslav Zavoral, por shtoi se ai nuk do të japë detaje të tjera sipas kërkesës së presidentit. Zeman ka thënë më parë se ai po vuan nga lodhja dhe dehidratimi.
Zeman u dërgua në spital nga rezidenca presidenciale jashtë kryeqytetit, të dielën në mëngjes, menjëherë pas një takimi me kryeministrin Andrej Babis. Pamjet e transmetuara nga mediat çeke tregojnë stafin duke i mbajtur kokën lart kur ai hyri në spital.