Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i bindur se e kishte rrugën tërësisht të hapur në PD pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, por zhvillimet e fundit tregojnë se kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj është kthyer në problem serioz për Berishën. Ditën e djeshme Alibaj dhe Berisha patën përplasje brenda PD-së se kush e përfaqëson këtë forcë politike dhe më pas sherri vijoi edhe në sallën e Parlamentit. Ambasadorka Kim i del në mbështetje Alibeajt.
Negociatat për presidentin e ri përplasën Sali Berishën dhe Enkelejd Alibeajn në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Gjatë diksutimeve ka pasur debate të ashpra mes “dy kryetarëve”. Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish Enkelejd Alibeaj të cilit i tha se nuk e njeh si kryetar të komanduar në krye të partisë, pasi nuk është i përzgjedhur i grupit parlamentar. Në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit, Berisha e konsideroi atë fals dhe mafioz dhe një opozitar i vërtetë nuk mund të bëhet pjesë e “zarfeve të mbyllura”. Berisha akuzoi Alibeajn si të marrë peng nga Taulant Balla dhe Edi Rama. Ai insiston që demokratët të mos bëhen pjesë e një procesi zarfesh mafioze, siç e quan ai, qëndrim të cilin e përsëriti publikisht edhe pas mbledhjes. Kësaj qasjeje iu afrua edhe Alibeaj, por ndryshe nga Berisha ai kërkon që të përballen me Edi Ramën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Përplasja e tyre nuk u mjaftua në dyert e mbyllra të PD. Një incident ka ndodhur në seancën e djeshme parlamentare, në një përballje direkte mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të komanduar, Enkelejd Alibeaj. Kryetarja e Kuvendit i dha fjalën Alibeajt për të folur, por pak minuta më parë kryeministri Rama kishte përmendur Berishën. Ky i fundit u çua për të replikuar, por gjeti Alibeajn në foltoren të cilin në një farë mënyre e shtyu prej aty. Alibeaj nuk bëri rezistencë dhe u largua nga foltorja. Ai e ka kaluar me një batutë gjestin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e shtyu jashtë foltores së Kuvendit.
Reagimi i Alibeajt
Enkelejd Alibeaj mori fjalën nga vendi, duke thënë se “s’dëshiron që dikush t’i zerë foltoren”. Më pas, Alibeaj iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke thumbuar edhe Berishën, ai tha se në çdo seancë duhet të flitet për personazhet politike të shpallur non grata, “deri sa ata të dalin cullak”. “Nuk po dal aty se me siguri do të rrezikoj se vjen dikush dhe më zë foltoren, dhe nuk dua që t’ja jap kënaqësinë dhe atij që iku, ai trimi i madh. A e patë? E nxorri kokën më në fund. Ne do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë, të paktën zarfat, merrini çojini aty ku e ka vendin. Në fakt ky trimi i madh dhe gjithë trimat në këtë sallë, duhet të flasin për raportin e DASH-it, shpallja non grata i personazheve politikë. Kjo është çështja në çdo seancë, pyetja që do ta ketë deri sa të dalë cullak. Ai di më shumë gjëra, di edhe më tepër sesa aq. Erdhi këtu për të krijuar një lloj diversioni brenda opozitës, ka një gjë të madhe këtu, janë ata shpirtrat e lirë që ai nuk i ka”, tha Alibeaj duke iu drejtuar Ramës, por indirekt edhe Berishës.
Deklarata e Berishës
Sali Berisha deklaroi edhe njëherë pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, se nuk mund të bëhet pjesë e procesit mafioz të iniciuar nga mazhoranca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas Berishës, praktika e zarfeve të fshehta në grupin e PS-së, tregon se nga aty do të dalë vetëm emri që do Edi Rama dhe për këtë arsye opozita nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. “Në mbledhjen e grupit, theksova se opozita nuk mund të përfaqësohet me të emëruar nga Taulant Balla. PD-ja nuk do ta njohë një praktikë të tillë. Denoncova me forcë praktikën e ndjekur nga Rama për procesin e zgjedhjes së presidentit, praktikë kjo që diskretiton institucionin e presidencës dhe zgjedhjen e presidentit. Kjo praktikë nuk ka qëllim tjetër veçse të nxjerrë nga zyrat e tij njeriun që do dhe që komandon. Ky ishte debati. Mediu dhe Doda kanë bërë zgjedhjet e tyre. Unë e denoncoj këtë farsë. Ajo zhvillohet me zarfe sekrete brenda grupit parlamentar. Si mund të jetë me opozitën? Aty mund të jenë propozuar 40 emra, por do caktohet ai që do Edi Rama. Thirret shoqëria civile dhe i thonë dërgoje emrin me e-mail”, u shpreh Berisha.
Reagon Yuri Kim
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas incidentit të ish-kryeministrit Sali Berisha dje në Kuvend, teksa shtyu me forcë nga foltorja deputetitn Enlekejd Alibeaj. Kim thotë se “ditët kur sulmoheshin ndërtesat, rriheshin apo largoheshin nga podiumet dhe kërcënoheshin ata që me të drejtë thoshin “jo”, i përkasin së shkuarës”. “Ditët e sulmeve ndaj ndërtesave, rrahjes apo shtyrjes së të tjerëve nga podiumet, kërcënimeve ndaj atyre që me të drejtë thonë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për keqbërjet që ke bërë vetë, shtrembërimit të shtetit ligjor, mbështetjes tek pandëshkueshmëria – ato ditë i përkasin një të shkuare që nuk duhet të përsëritet”, shkruan ambasadorja Yuri Kim në Tëitter.
Ahmetaj- Berishës: Çështjen për kryetarin
zgjidheni në parti jo në Parlament
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka komentuar incidentin që ndodhi mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj në foltoren e Kuvendit. Ahmetaj tha se deputetët panë “ndeshje fizike” dhe “thumba” mes deputetëve të opozitës. “Për një sekond mendoni të mos hapnim asnjë proces për zgjedhjen e presidentit, imagjino se çfarë do të thuhej nga krahu i djathë, ju nuk na pyetët etj. Vijnë këtu dhe flasin nga 20 minuta dhe nuk thonë asgjë. Patë ndeshje fizike me njëri-tjetrin, pastaj patë thumba dhe konfuzion se kush do të bëhet kreu i partisë. Këtë nuk ua zgjidhim dot ne, por merruni vesh mes vetit”, tha Ahmetaj.