Londra zyrtare tha se Kievi ka të drejtë të godasë territorin rus me armë perëndimore, ndërsa Moska i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë Londrës, duke nënvizuar se Rusia mund të godasë edhe vendet e NATO-s nga vijnë armët.
Rusia ka bërë një deklaratë të fortë si kundërpërgjigje e qëndrimeve të qeverisë britanike. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka shkruar se nëse Britania e Madhe i konsideron normale sulmet e Kievit në territorin rus me armët e marra nga perëndimi, atëherë edhe Moska ka të drejtë që të godasë “linjat e furnizimit të Ukrainës”, madje mund të godasin edhe vendet anëtare të NATO-s të cilat furnizojnë Ukrainën me armë. Ukraina ka ngritur alarmin për mundësinë që konflikti të shtrihet në Transnistri, rajoni separatist pro-rus i Moldavisë, ndërsa Moska nga ana tjetër ngre edhe më tej tonin e saj duke paralajmëruar se rreziku i një Lufte të Tretë Botërore është “i vërtetë’. Nga ana tjetër Pekini ka reaguar duke thënë se ata nuk e duan një Luftë të Tretë Botërore. Pas shpërthimeve në Transnistria, Moldavia ka reaguar duke deklaruar se ka një përpjekje për të tërhequr vendin në një konflikt të armatosur. Në një intervistë televizive, ministri i Jashtëm Serghei Lavrov akuzoi Perëndimin se po bën luftë kundër Rusisë përmes furnizimeve me armë në Kiev dhe se po ngjall konflikte botërore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbërrin sot në Moskë, ku do të zhvillojë një takim me Vladimir Putin. Guterres ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm rus Serghei Lavrov, ku kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Misioni i tij ka pak shanse për sukses, duke qenë se Rusia përjashton për momentin mundësia e një armëpushimi. Po sot, në Ramstein të Gjermanisë, po takohen përfaqësues të rreth 40 vendeve, të ftuar nga Shtetet e Bashkuara për të diskutuar se si të forcohet mbrojtja e Ukrainës. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, në një konferencë për shtyp në samitin në bazën ushtarake amerikane në Ramstein të Gjermanisëdeklaroi se: “Informacionet e shpjeguan qartë pse javët e ardhshme do të jenë kaq vendimtare për Ukrainën. Kështu që ne duhet të lëvizim me shpejtësinë e luftës”. Ai tha se të gjithë liedrat duhet të bëhen bashkë në mbështetje të Ukrainës. “Dhe unë e di se të gjithë liderët po largohen sot më të vendosur se kurrë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit dhe mizorive ruse. Dhe e di që ne të gjithë jemi të vendosur të bëjmë edhe më shumë për të koordinuar më mirë përpjekjet tona”, shtoi ai. ”Ne duam ta bëjmë më të vështirë për Rusinë të kërcënojë fqinjët e saj dhe ta dobësojmë atë në këtë kuptim”, tha ai. Nga ana tjetër kërcënimin bërthamor të shkaktuar nga Moska në sfondin e konfliktit në Ukrainës, kreu i Pentagonit e cilësoi si një “retorikë të rrezikshme dhe të padobishme”. “Askush nuk dëshiron një luftë bërthamore”, shtoi ai.