Kreu i grupit socialist Taulant Balla, deklaroi se nuk do të këtë asnjë bashkëpunim me Sali Berishën për emrin e presidentit të ri. Nëse deri më 24 maj, ku përfundon afati për zgjedhjen e një presidenti konsensual nuk do të ketë dakordësi mes grupeve parlamentare, kreu i shtetit do të përcaktohet vetëm me votat e PS-së.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se nuk do të ketë bisedime me Sali Berishën për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe asgjë tjetër. Balla tha se Berisha nuk ekziston as në grupin Parlamentar. “Sali Berisha nuk ekziston as si grup parlamentar. Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Sali Berisha nuk është një grup parlamentar. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Sali Berisha për ne nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston nuk ke pse negocion. Unë di që në Kuvendin e Shqipërisë ekzistojnë të depozituara si grupe parlamentare ai i Alibeajt, Doda dhe Mediu. Ky është një proces ekskluziv brenda mureve të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi Balla. Lidhur me bisedimet me opozitën për procesin, ai tha se nuk mund të paragjykojë. “Ne do propozojmë që të mbahet më 4 maj që tre përfaqësuesit e PS-së, jemi të gatshëm të ulemi me opozitën në çdo moment. Ka pasur një propozim nga ana e z. Mediu që tre grupet e opozitës të përcaktojnë një përfaqësues të tyre. Sa kohë nuk kanë dakordësi, na duhet të negociojmë me 3 grupet. Nëse do kenë dakordësi të vijnë të tre së bashku, janë të mirëpritur. Sa kohë që nuk kemi negociuar, gjithë negocimin e nevojshëm që duhet të bëjmë që na e detyron Kushtetuta dhe tradita parlamentare, nuk kemi ne dëshirë të zgjedhim një President vetëm me votat tona. Kemi dëshirë të zgjedhim një president me sa më shumë konsensus parlamentar. Ne duhet të negociojmë me të gjitha grupet e opozitës”, tha Balla. Ai tha se brenda opozitës duhet të ketë konsensus dhe përgjegjësi. “Nuk paragjykoj aspak dhe nuk më takon të parashoh diçka që shpresoj se nuk do të ndodhë. Jam shumë i bindur që brenda opozitës të mbizotërojë ndjenja e përgjegjësisë. Asnjë prej palëve në këtë vend nuk duhet t’i shmanget kësaj përgjegjësie. Do ta quaja papërgjegjshmëri përjashtimin nga ky proces i grupeve parlamentare”, tha Balla. Sa i përket emrave, ai deklaroi se kur të ketë dakordësi për një profil do të ketë dhe propozime konkrete. “E drejtë, më mirëkuptoni dhe ndjesinë time dhe vendimmarrjen tonë që sot nuk jemi në fazën të shprehemi për emra apo propozime konkrete. Do vijë një moment tjetër gjatë procesit, kur të jemi dakord me profilin, do vijmë dhe me emrin. Zarfat janë hapur dhe janë administruar, janë aty për të formësuar shortlistat e profileve të ndryshme të cilët janë propozuar nga anëtarët e grupit parlamentar”, tha Balla.
Negociatat, afatet
Kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, u shpreh se sa i takon negociatave me opozitën për emrin e Presidenti të ri, do të presin deri në 24 maj, datë kur sipas kushtetutës përcaktohet si afati i fundit. Por Balla u shpreh se do të ishte mirë që negociatat të nisnin më parë në mënyrë që raundi i parë të mos niste një ditë para afatit të përcaktuar në Kushtetutë. Balla tha se në javën në vijim do të zhvillohet takimi me shoqërinë civile, duke i bërë ftesë edhe grupeve parlamentare të opozitës që t’i bashkohen. “Duke qenë se kjo javë u shty takimi që njoftuam me shoqërinë civile, do të shtyhet për javën tjetër, ftesa ime është që në atë takim të jemi bashkë me tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, zotin Alibeaj, zonjën Doda dhe zotin Mediu. Aftët këtu i ka vendosur kushtetuta, 24 maji si datë që procesi të ketë filluar, por ai është afati i fundit, do ishte pa vend që raundi i parë të bëhej një ditë para datës së fundit, besoj se është afat i mjaftueshëm, secila palë ka pas kohën e nevojshme, e dimë që Presidenti zgjidhet në maj, kështu që ka pasur kohë mjaftueshëm secila palë”, tha Balla.
Vizat 10 vjeçare, SHBA jep mundësinë e vizës së shpejtë kur ka urgjenca
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka bërë me dije se ka pasur një rritje të aplikimeve për viza amerikane me zgjatjen e tyre në një afat deri në 10 vite. Përmes një postimi në Tëitter, ambasadorja shkruan se kjo ka sjellë pritje të gjata për intervistat në ambasadë. “Pas shpalljes së vizave amerikane 10-vjeçare për shqiptarët dhe lehtësimit të kufizimeve të COVID-it në udhëtime, ka pasur rritje të aplikimeve për viza, gjë që ka sjellë pritje të gjata për intervista. Ne e dimë se kjo është frustruese dhe stafi ynë konsullor po punon fort për të shkurtuar kohën e pritjes. Në raste urgjence të vërteta (për shembull trajtim mjekësor, vdekje familjare, programe studentore ose shkëmbimi me afate të caktuara ju lutemi kërkoni proces të përshpejtuar kur të aplikoni. Ju gjithashtu mund të shkruani në adresën tiranausconsulate@state.gov pasi të keni bërë kërkesën për proces të përshpejtuar”, shkruan Kim.
Presidenti/ Anila Denaj për Berishën: Të njëjtët individë nuk mund të mbajnë peng Shqipërinë
Deputetja Anila Denaj foli për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, konsultimet me opozitën, ndërsa u ndal edhe tek rritja e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë. Denaj u shpreh se procesi për zgjedhjen e presidentit është marrë shumë seriozisht, duke shtuar se beson që mazhoranca brenda datës 4 maj do të ketë gati edhe emrat. “Është një proces i rëndësishëm dhe ne e kemi marrë shumë seriozisht. Ne e kemi bërë procesin tonë dhe besoj brenda datës 4 maj do të kemi edhe emrat, siç e tha edhe Balla në datën 4 pritet mbledhja e kryetarëve dhe në datën 10 pritët të diskutohet në Parlament”, tha Denaj. E pyetur a do të bashkëpunojë me Berishën Partia Socialsite, Denaj tha se: “Ka një detyrim ligjor, por përtej kësaj ne do të flasim me atë palë që këtë proces e merr seriozisht. Diskutimet me opozitën janë pjesë e kalendarit. Problemet e tyre të brendshme duhet të tejkalohen. Besoj që shqiptarët e kanë shprehur orientimin euroatlantik dhe besoj që kur debate është ndaj një përfaqësuesi të SHBA mesazhi që je duke dhënë është se duke atakuar përfaqësuesit më të lartë dhe dyshoj që shqiptarët e mbështesin. Ky sulm nuk na nderon”.