Nga Rudina Koromani
Diskutimet dhe debatet aktuale online në rrjetet sociale si facebook, instagram, linkendin etj., janë bërë fenomen shqetësues dekadën e fundit, që prej hedhjes në treg të këtyre platformave në përdorim të gjithkujt që mund të hapi një profil me disa të dhëna identifikuese, qofshin këto të dhëna reale apo fallco.
Dikush poston një mendim personal, dikush tjetër hedh poshtë atë që thuhet duke pretenduar argumente të pakontestueshme… pala tjetër në debat kundërpërgjigjet me argumentat e tij të verifikueshme… e kjo “luftë” virtuale përfundon me ofendime, me bllok dhe në fund me shprehjen “kam të drejtën e mendimit tim”.
Temat e debateve janë nga më të ndryshmet, por ato më të nxehtat janë postime që lidhen me opinionet politike, fetare e trendet sociale. Ndjeshmëria për këto çështje mbart arsye të ndryshme pas secilës prej tyre, por ajo që i bashkon janë debatet e zjarrta ofenduese e denigruese që prodhojnë diskutimet mes palëve në debat lidhur me pretendimin e posedimit të së vërtetës.
E vërteta thuhet se është një dhe vetëm një, por sa akses kanë palët mbi të vërtetën e një çështjeje politike që po diskutojnë? “E ke gabim, po të jap argumente”, “ e ke ti gabim, lexo më shumë se nuk je fare i informuar”.
“Kam mendimin tim”, duket se nuk zgjidh punë nëse do e ngremë problemin për të kërkuar rrugëzgjidhje. Problematika të tilla lidhen me format e gabuara të të menduarit që lidhen me nivelet e ulta të përdorimit të gjykimit analitik.
Opinionet e njëanshme mbi çështje të caktuara që nuk kuptojnë duket se është një nga arsyet e këtyre debateve mes disa individëve që shpallin mendimin e tyre të vlefshëm njëlloj si një fakt, gjë e cila po shkatërron gjithnjë e më shumë komunikimin mes individëve duke i larguar me kundërshtitë radikale që prodhojnë e rrjedhimisht duke i kundërvënë mes njëri tjetrit në forma ekstreme edhe për çeshtje me rëndësi fare të vogël që nuk prekin mirqënien apo ekzistencën e tyre.
Nga ana tjetër, niveli i kapaciteteve mendore dhe intelektuale e individëve për të dhënë një mendim analitik, kritik është e ndryshme ashtu sikurse është i ndryshëm dhe burimi i informacionit që përdorin si argument në debat. Më tej, mund të diskutojmë si faktor rrisku dhe besueshmërinë e informacionit të marrë: sa i sigurtë është burimi i informacionit ku bazon mendimin tënd?
Përtej faktit të ndikimit dhe të faktorëve të tjerë që ndikojnë në këto debate kundërshtuese të zjarrta, vlen vetndërgjegjësimi për informacionin ku bazojmë debatin: “ sa i mirëinformuar mendon se je”?
E vërteta duket sikur nuk mund të gjendet kurrë teksa ndodhemi në një kaos të pafund informativ mes gënjeshtrave që prodhohen për interesa të caktuara.
6 dhe 9
…dy burra që shohin një shifër nga skaje të ndryshme: njëri sheh një gjashtë, tjetri një nëntë. Të dy pretendojnë se kanë të drejtë. Dhe në fakt, duket se secili prej tyre ka të drejtë, por duke marrë parasysh faktin se e vërteta është “një” konkludojmë se njëri prej tyre e ka gabim. Por kush prej dy burrave e ka gabim?
Përgjigjen e saktë mund ta gjejmë duke kërkuar dhe një element tjetër bashkëshoqërues që do na ndihmonte të shkonim përtej perspektivës përmes një mendimi kritik.
Marrja vetëm e një kriteri të izoluar për gjykimin e një të vërtete mund të çoj në gabim gjykimi.
Ndërkohë, thuhet dhe se e vërteta mund të thuhet në një mijë mënyra të ndryshme, e secila prej tyre mund të jetë e vërtetë… e ndonjëherë palët që debatojnë nuk e kuptojnë se po flasin për të njëjtën gjë.
Dy këndvështrime të ndryshme, mund të jenë njësoj të vlefshme, por mirëinformimi përmes të menduarit analitik mbetet një aspekt i rëndësishëm që duhet të ndalemi para se të hedhim poshtë një mendim që lexojmë apo shohim, prekim, dëgjojmë.
Në vrapin e sotshëm të jetesës gëlltitja e informacionit të shpejtë e të gatshëm nuk lë kohë për hulumtim e thellim të informacionit duke bërë që të shtohen si klone personat “kam të drejtën e mendimit tim”.
Po, ti e ke të drejtën e mendimit tënd, por nëse kërkon që të të dëgjohet, të të merret në konsideratë e të të pranohet e respektohet duhet së pari të jesh i mirëinformuar, së dyti të mendosh në mënyrë kritike e së treti të gjesh formën e duhur për ta përcjellë atë informacion.
“Gëlltitim me lakmi çdo gënjeshtër që na intereson, por përtypim me çapa të vogla një të vërtetë që na duket e hidhur”. Denis Diderot
Përgatiti Rudina Koromani
Psikologe Klinike
#mendimi_analitik #mendimi_kritik
#e_verteta_iluzive #debate #e_verteta_e_hidhur #mireinformimi